spot_img
E martë, 30 Shtator, 2025
00:08
HomeRajoniShqipëriaDhëndri i Trumpit shpallet investitor strategjik, hapet rruga për ndërtimin e resortit...

Dhëndri i Trumpit shpallet investitor strategjik, hapet rruga për ndërtimin e resortit luksoz në Sazan

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Kompania e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, merr statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti luksoz në Ishullin e Sazanit.

Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama më 30 dhjetor 2024, duke pranuar propozimin e kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC dhe t’i japë asaj status të investitorit strategjik me procedurë të veçantë.

- Advertisement -

Sipas vendimit të KIS, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8% të ishullit, ose 45 hektarë.

“Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro”, thuhet në vendimin e KIS.

- Advertisement -

Me miratimin e statusit, kompania e lidhur me Jared Kushner, dhëndri i presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump do të duhet të negociojë një kontratë me kompaninë publike Korporata e Investimeve Strategjike, ndërsa një sërë institucionesh shtetërore, përfshi ministritë e Infrastrukturës, Mbrojtjes, Mjedisit, Ekonomisë vihen në dispozicion të kompanisë për të transferuar pronën dhe përgatitur dokumentacionin për lehtësim të punimeve.

Vendimi i KIS nuk bën me dije se çfarë përfiton Shqipëria nga transferimi i pronës publike në favor të kompanisë amerikane, por përmendet se do të negociohet një kontratë me kompaninë amerikane, ku edhe Shqipëria do jetë pjesë e këtij investimi. Kjo ishte paralajmëruar edhe nga kryeministri Edi Rama.

“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpërmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (aic), albanian seaports development company sh.a (asdc), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues atlantic incubation partners llc, shoqëri e të drejtës amerikane. Projekti i propozuar nga subjekti aplikues “atlantic incubation partners” llc shoqëri e të drejtës amerikane me nr. identifikimi (ein) 92-3329707 do t’i nënshtrohet një procesi shqyrtimi dhe analizimi për të vlerësuar kushtet dhe kriteret e mundësisë së bashkëpjesëmarrjes së shtetit shqiptar në këtë investim strategjik sipas parashikimeve të vendimit të këshillit të ministrave nr. 1030, datë 16.12.2015 “për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike (fppmis)”.

Planet për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në Sazan dhe një tjetri në Zvërnec nga Kushner dhe kompanitë e lidhura me të, u bënë publike në fillim të vitit që shkoi dhe kryeministri Edi Rama foli hapur në favor të tyre ndërsa i tha Nju Jork Times se interesimi i kompanisë së Kushner e bënte atë “krenar dhe të lumtur”.  Projektet financohen nga kompania e investimeve e Kushner Affinity Partners, e cila mbështetet në fonde nga qeveria e Arabisë Saudite.

Planet dhe aprovimi apriori i qeverisë shqiptare u kritikuan nga opozita se po bëheshin për të përfituar favore politike në rast të rizgjedhjes së Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe mungesës së transparencës e garës.

Vendimi i KIS parashikon një sërë hapash që do ndërmerren kryesisht nga institucionet shtetërore në Shqipëri, për të ndihmuar kompaninë në sigurimin e pronës, dokumentacionin e nevojshëm dhe veprime të tjera që pritet të përmbyllen në tre muajt në vijim. Kompania nga ana tjetër do duhet të nënshkruajë një kontratë me Korporatën e Investimeve Strategjike dhe Albanian Seaports Development Company sh.a., ndërsa do duhet të sigurojë me investimin e vet ujin, energjinë e të ngjashme.

“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpëmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane”, thuhet në vendim.

Vendimi i KIS bën me dije se statusi jepet për një periudhë 10-vjeçare dhe se ndërtimi parashikohet të jetë i ndarë në tri faza.

“Statusi “investim/investitor strategjik procedurë e veçantë” i jepet projektit të investimit “Resorti turistik – Ishulli i Sazanit” për një periudhë 10-vjeçare. ky afat do t’i shërbejë projektit strategjik për përfitimin e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, si dhe plotësimin e detyrave dhe planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim. Ndërkohë, marrëveshja që do të nënshkruhet, pas negocimit dhe finalizimit sipas parashikimeve ligjore, në fazat e mëtejshme të vlerësimit të projektit, do të parashikojë afatin e nevojshëm të realizimit të plotë të investimit, angazhimet dhe detyrimet e ndërsjella mes palëve dhe masat e detajuara mbështetëse, që përfiton ky projekt, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat