Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka thënë se vizitën e tij të parë si kryeministër do ta bëjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa do të kërkojë që Kampi Bondsteel të jetë i përhershëm në Kosovë.
Gjatë tubimit elektoral në Vushtrri, kreu i LDK-së uroi presidentin amerikan, Donald Trump, duke thënë se në qeverisjen e tij do të thellohen edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.
“Vizitën e parë si kryeministër do ta bëjë në SHBA dhe kërkesën e parë do ta bëjë që kampi Bondstel të jetë i përhershëm dhe me një fjalë ’Zoti naltë e Amerika poshtë’”, u shpreh Abdixhiku.
Tutje, Abdixhiku foli për programin e tij elektoral, me theks të veçantë investimet që do t’i bëjë në këtë qytet nëse arrin të bëhet shef ekzekutivi.
“Ne nuk duam të ankohemi, ne duam të punojmë. Të punojmë fort e me përkushtim, me dije e duke dhënë përgjegjësi përpar jush. Prandaj, në programin tonë politik, kemi 5 miliardë euro investime, me 5 miliardë euro buxhet e me 5 për qind rritje ekonomike. Përmes këtij programi, garantojmë jetë të mirë në Kosovë. Prandaj, në javën e parë, pra në javën e parë, të gjithë shërbyesve publikë në Kosovë: mësuesve, mjekëve, policëve, zjarrfikësve, ushtarëve, të gjithë punëtorëve të shtetit, do t’ua rrisim pagat, me koeficient 150 që në javën e parë në krye të Qeverisë”, u shpreh Abdixhiku.



