spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
01:38
HomeStorm/PodcastProfilNënë Tereza përfshihet në Kalendarin e Përgjithshëm Romak

Nënë Tereza përfshihet në Kalendarin e Përgjithshëm Romak

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

storm•/Vatikan: – Dikasteri i Vatikanit për Kultin Hyjnor ka publikuar një dekret me të cilin Papa Françesku ka vendosur të përfshijë Shën Terezën e Kalkutës në Kalendarin e Përgjithshëm Romak. Kjo do të thotë se përkujtimi i saj liturgjik, i caktuar më 5 shtator, do të përfshihet në të gjithë kalendarët dhe librat liturgjikë të Kishës Katolike, duke u kremtuar si përkujtim liturgjik fakultativ.

Shenjtore e dashur nga mbarë bota

- Advertisement -

E kanonizuar nga Papa Françesku më 4 shtator 2016, Nënë Tereza vazhdon të jetë një nga figurat më të dashura dhe me ndikim në botën katolike dhe përtej saj. Duke shpallur dekretin, Ati i Shenjtë theksoi se shenjtëria e saj “është kaq e afër, kaq e dhembshur dhe e frytshme, sa që do të vazhdojmë spontanisht ta quajmë ‘Nënë’”.

Sipas dokumentit zyrtar të Vatikanit, ky vendim erdhi si përgjigje ndaj shumë kërkesave nga ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët dhe besimtarët, të cilët kanë dashur që figura e shenjtores shqiptare të ketë një vend të përhershëm në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike.

- Advertisement -

Dekreti dhe ndikimi i tij

Dekreti i Vatikanit përshkruan qartë se përkujtimi liturgjik i Nënë Terezës duhet të hyjë në të gjithë kalendarët dhe librat liturgjikë, duke përdorur tekstet e miratuara që do të përkthen nga Konferencat Ipeshkvnore. Kjo do të lejojë kremtimin e meshës dhe liturgjisë së orëve në nder të shenjtores, duke e forcuar kultin dhe ndikimin e saj shpirtëror në mbarë botën.

Në dekret përshkruhet gjithashtu vepra e jashtëzakonshme e Ganxhe Bojaxhiut, që ia kushtoi jetën e saj shërbimit ndaj më të varfërve dhe atyre që kishin humbur dinjitetin. Dokumenti thekson se ajo ishte një burim shprese për miliona njerez dhe se fjalët e Jezusit: “Kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj” (Mk 10,43) ishin parimi udhërrëfyes i jetës dhe veprës së saj.

Një figurë e pashlyeshme e dashurisë dhe mëshirës

E lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, Nënë Tereza filloi misionin e saj në Kalkutë në vitin 1929. Pasi u largua nga Motrat e Loretos, në vitin 1950 themeloi Kongregatën e Misionareve të Dashurisë, e cila sot numëron mbi 6,000 murgesha të shpërndara në 130 vende të botës. Veprat e saj humanitare e bënë një nga figurat më të njohura në historinë moderne, duke u nderuar edhe me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979.

Ndërroi jetë në Kalkutë në vitin 1997, por ndikimi i saj vazhdon të jetë i pashlyeshëm. Papa Gjon Pali II e lumnoi më 19 tetor 2003, ndërsa Papa Françesku e shpalli shenjte më 4 shtator 2016, gjatë Jubileut të Mëshirës, duke theksuar se ajo ishte një ikonë e Samaritanit të Mirë dhe një simbol i dhembshurisë së Zotit për më të dobëtit.

Me përfshirjen e saj në Kalendarin e Përgjithshëm Romak, Kisha Katolike përforcon edhe më shumë mesazhin e saj për të jetuar me dashuri dhe shërbim ndaj të tjerëve, në frymën e veprës së Shën Terezës së Kalkutës.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat