(E përditësuar) Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nisur takimin me kryeministrin britanik, Keir Starmer, në Londër.

Të dy u përshëndetën duke shtrënguar duart dhe u përqafuan.

Kjo vizitë vjen pas takimit të djeshëm të tensionuar me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

Kujtojmë se edhe Starmer, ditë më parë vizitoi Trumpin në SHBA.
Sky News raporton se Starmer i ka thënë Zelenskyy: “Keni mbështetje të plotë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, dhe ne do të qëndrojmë me ju dhe Ukrainën sa herë që të jetë e nevojshme.”

Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar ka një vendosmëri “të plotë” dhe “të palëkundur” për të arritur “atë që ne të dy duam të arrijmë, që është… një paqe e qëndrueshme për Ukrainën, e bazuar në sovranitetin dhe sigurinë.”
Zelensky falënderoi Starmer dhe popullin e MB për mbështetjen e tyre që nga fillimi i luftës.



