Ardian Bujupi për një kohë të shkurtë arriti ti prekë majat e muzikës R&B dhe urban.
I lindur në Kosovë dhe i shpërngulur në Gjermani me familjen e tij në një moshë shumë të re, ai u rrit në qytetin e Heidelbergut, ku filloi të zhvillonte pasionin për muzikë që në fëmijëri.
Pos muzikës, Ardiani nuk e la shkollimin pas dore, duke përfunduar arsimin deri në nivelin e mesëm dhe më pas duke vazhduar studimet duale në një nga bankat e qytetit, ku edhe pas përfundimit të arsimit, vazhdoi të punojë.
Ardiani asnjëherë nuk e ka mohuar prejardhjen e tij shqiptare. Jo vetëm që e shfaq atë përmes këngëve në shqip, por edhe me veprime të ndryshme kombëtare.
Ai shpesh e përfshin identitetin e tij kulturor edhe në këngët në gjermanisht. Një pjesë e veçantë e njërit prej teksteve të tij thotë: “Po e shkruaj këtë këngë në avion për në Marbella, flas të njëjtën gjuhë si Nanë Tereza”, duke shfaqur krenarinë e tij për prejardhjen dhe lidhjen me rrënjët shqiptare.
Fillimet e karrierës, DSDS dhe sfidat
Ardian Bujupi kishte filluar të regjistronte këngë para pjesëmarrjes në “Deutschland sucht den Superstar” (DSDS), por pa arritur ndonjë përparim të madh në karrierën e tij. Siç e tregon vetë në një intervistë, ai kishte parë shpalljen për t’u regjistruar në DSDS, ndërsa ishte në pushime në Ulqin.
Ardiani kujton një moment të veçantë; “E kam pyetur nanën, a ishe kane ti e lumtur nëse unë isha lajmru në DSDS? Më tha, e kisha adhuru me t’pa ty tu këndu në binë, derisa unë jam e ulur në publik”. Kështu, ai vendosi të aplikojë për audicionet e spektaklit të njohur.
Pas pjesëmarrjes në DSDS, sfidat nuk përfunduan. Në këtë kompeticion ai arriti deri në finale dhe u rendit në vendin e tretë. Kompania e muzikës nuk i ofroi një kontratë edhepse ky ishte një moment kthese në karrierën e tij muzikore. Megjithatë, Ardiani vendosi të mos dorëzohej dhe vendosi të vazhdojë karrierën muzikore më tej. Pas kësaj vendosmërie, erdhi kënga e tij e parë “This is My Time“, duke shënuar fillimin e karrierës së tij profesionale. Pastaj, me këngën “Rise to the Top” dhe hitin e vitit 2012 “I’m Feeling Good“, një këngë që pati sukses të madh. Kënga u bë remix nga reperi shqiptar Noizy, duke i dhënë asaj një dimension të ri dhe duke e forcuar më tej popullaritetin e saj.
“Pas asaj periudhe, erdhi një moment kur vendosa të lë stresin dhe gjithçka pas meje, edhe shkova në Suedi për një kohë. Pastaj u ktheva dhe fillova punën në bankë, prej mëngjesit deri në mbrëmje në punë dhe pas punës direkt në studio. Pavarësisht këngëve të para të suksesshme, ana financiare nuk ka qenë e pranishme; nuk ka mjaftuar për mbijetesë”.
Pas publikimit të këngëve “This is My Time” dhe “Rise to the Top” dhe pauzes, Ardiani vazhdoi me vendosmëri karrierën muzikore pa u dorëzuar. Këngët e tij të para në anglisht, si “This is My Time” dhe “Rise to the Top”, patën një sukses të jashtëzakonshëm, duke i dhënë atij një fillim të fortë në karrierën që e priste.
Në dhjetor 2014, ai publikoi këngën e tij të parë në gjermanisht, “Wahnsinnig“, pjesë e albumit të tij debutues “Ardicted”, i cili u lansua në vitin 2015. Ky album përmbante një kombinim unik të këngëve në anglisht dhe gjermanisht, duke e vendosur Ardianin si një artist të kompletuar në të dyja gjuhët.
Në vitin 2014, ai publikoi këngën “Feel“, një bashkëpunim me Genta Ismajlin dhe Dalool, dhe më pas, në vitin 2015, solli këngën e tij të parë në gjuhën shqipe, “A po don me“, duke vazhduar më pas me baladat në shqip, si “Na jena njo” dhe “E ëmbël“.
Kulminacioni dhe marrëveshjet e reja
2017-a ishte një vit i suksesshëm për Ardianin. Ai publikoi albumin e dytë “Melodia”, i cili përmbante 13 këngë në gjermanisht. Një nga këngët më të suksesshme nga ky album ishte “Keiner“. Në të njëjtin vit, Ardiani solli edhe këngën “Andiamo”, në bashkëpunim me reperin shqiptar Capital T, e cila arriti mbi 135 milionë klikime në YouTube dhe u bë virale në mbarë botën.
Popullariteti i tij vazhdoi të rritet çdo ditë pas publikimit të albumit të parë dhe të dytë, nga viti 2015 deri në vitin 2017.
Kulminacionin e arriti me mixtape-in “Arigato”, të cilin e publikoi si një falënderim për njerëzit që i qëndruan besnikë muzikës së tij deri në atë moment. Një nga këngët më të pëlqyera të atij mixtape-i ishte “Primadonna”
Pas këtij publikimi, Ardiani mori edhe ofertat e para nga kompanitë muzikore dhe producentë të ndryshëm. Në vitin 2017, ai nënshkroi kontratën e parë profesionale me Sony Music, një moment kyç që e shtyu të japë dorëheqje nga puna në bankë dhe t’i përkushtohej plotësisht muzikës.
Viti 2018 solli hitin “CIKA CIKA” në bashkëpunim me Xhensila Myrtezajn, një sukses ndërkombëtar që arriti qindra miliona klikime. E njëjta u bë remix më pas në bashkëpunim me këngëtarin porto-rikan, Farruko Cika Cika (Remix). Po ashtu, Ardiani publikoi këngën “Guns & Roses” në bashkëpunim me Helly Luv, duke treguar edhe një herë kapacitetin e tij për të arritur një audiencë ndërkombëtare.
Vazhdimi i Karrierës dhe Albumet e Suksesshme
Në vitin 2019, Ardiani publikoi albumin e tij të katërt “Rahat“, një emër që simbolizonte një fazë të re të qetësisë dhe stabilitetit pas shumë sfidave në karrierë. Ky album pati një sukses të madh dhe kënga “Meine Liebe“, një bashkëpunim me Elvana Gjatën, ishte një nga hitet më të dëgjuara të albumit. Po ashtu, bashkëpunimi me Fero47 në këngën “Wie im Traum” i solli atij edhe çmimin Goldplatte.
Në vitin 2020, pavarësisht sfidave të shkaktuara nga pandemia COVID-19, Ardiani nuk e ndali krijimtarinë muzikore edhe pse nuk publikoi ndonjë album të ri. Ai vazhdoi të sjellë hite si “Ohne Warnung“, “Modela“, “Reggaeton“, dhe bashkëpunimin me Xhensilën në këngën “Panorama“, një këngë që arriti mbi 100 milionë klikime. Pandemia e vështirësoi skenën muzikore globale, por Ardiani qëndroi aktiv, duke u përshtatur me situatën dhe duke vazhduar të kënaqë fansat me muzikën e tij, pavarësisht kufizimeve dhe mbylljeve që prekën industrinë.
2021, ishte një tjetër vit i suksesshëm për Ardianin. Ai publikoi albumin “10“, si dhe hite të tjera si “Nichts ist für Immer” në bashkëpunim me NGEE dhe “Adrenalina” me Finem. Po ashtu, ai përmbylli vitin me mega-hitin “Pina Whiskey“, një këngë që e përforcoi pozicionin e tij si një nga artistët më të suksesshëm të muzikës moderne shqiptare dhe gjermane.
Albumi “Aventura” dhe Vazhdimësia
Në vitin 2022, Ardiani publikoi albumin e gjashtë, “Aventura“, i cili përfshinte këngë të njohura si “Gelato” me Ledri Vulën dhe “Aventura” me Noizyn. Albumi solli një energji të re në karrierën e tij, duke e konsoliduar si një nga artistët më inovativë dhe të kërkuar.
Në vitin 2023, Ardiani vazhdoi të publikojë hite dhe bashkëpunime të ndryshme, përfshirë “Valle Kosovare” me Shpat Kasapin dhe “O Jetë” me Tayna-n, ndërsa vitin 2024, e filloi me publikimin e disa këngëve nga albumi i tij i ri “VEGETA“.
Këtë vit, Ardian Bujupi solli një stil të veçantë në bashkëpunim me këngëtarin afriko-jugor L.A.X në këngën “Ma Bebe“, me një influencë afro. Ai vazhdoi të eksperimentojë në këtë drejtim, duke sjellë një version modern të këngëve të vjetra shqiptare, si “Jarnana” dhe “Gajdexhiu“. Ardiani i riperpunoi këto këngë dhe i solli me titujt “Yarnana” dhe “Kosova“. Ky stil, i cili nuk ishte dëgjuar më parë nga ai, u prit shumë mirë nga fansat.
Gjithashtu, rritja e tij në rrjetet sociale si Instagram dhe Facebook, ka qenë konstante dhe reale, pa përdorimin e ndjekësve të blerë, një praktikë që shumë artistë të estradës e praktikojnë. Ardiani vazhdon të ketë miliona dëgjues çdo muaj në Spotify, duke dëshmuar ndikimin e tij në industrinë muzikore.
Një Artist dhe sipërmarrës i suksesshëm
Përveç suksesit të tij në muzikë, Ardian Bujupi ka arritur të shkëlqejë edhe në botën e biznesit. I apasionuar pas gastronomisë, Ardiani ka hapur dy restorante në qytetin dhe në rrethinën e Heidelbergut, ku u rrit, duke u bërë një figurë e njohur jo vetëm në skenën muzikore, por edhe në sektorin e biznesit. Së fundmi, ai ka hapur edhe një restorant me hotel, duke dëshmuar aftësitë e tij në menaxhim dhe sipërmarrje.
Ardiani ka arritur të ndërthurë pasionet e tij në muzikë dhe biznes, duke sjellë cilësi në çdo projekt që merr përsipër. Me një karrierë të suksesshme në të dyja fushat, ai vazhdon të jetë një inspirim për shumë të rinj, duke dëshmuar se suksesi arrihet me punë të palodhur dhe përkushtim.