Më 15 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, u zhvillua bojkotimi rajonal i supermarketeve zinxhir në Kosovë, si reagim ndaj çmimeve të larta dhe përpjekjeve të qytetarëve për të kundërshtuar praktikat e tilla.
Aleanca Kosovare e Bizneseve, thotë se ka bërë një monitorim hulumtues gjatë së shtunës nëpër disa markete të shitjes me pakicë për të parë se sa nga konsumatorët dhe qytetarët i përgjigjen iniciativës për bojkotim tek supermarketet në Kosovë.
Sipas kësaj organizate, gjatë monitorimit të disa marketave të madhe në Kosovë dhe deklarimeve të pronarëve dhe menaxherëve se çfarë ka ndikuar aksioni ‘Kosova bojkoton’, ata janë deklaruar se për kundër kësaj iniciative është rritë shitja nga 5-15%.
“Në bazë të deklarimeve dhe konstatimeve të përbashkëta mesatarisht 10 % u rrit shitja këtë vikend nëpër pesë brendet kryesore në vendin tonë që kanë me shumë se 500 pika shitëse me pakicë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, kryetar i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se ashtu siç është paralajmëruar ditë më herët se ky është aksion pa efekte, kontraproduktiv dhe kopje nga ish-shtetet jugosllave. Sipas tij, në Kosovë nuk funksionon.
“Marketet e Kosovës janë model në Ballkanin Perëndimor për shërbime dhe oferta të lirë dhe kualitative”, ka thënë Shahini.
Në anën tjetër, Iniciativa “Kosova Bojkoton” ka theksuar se, sipas të dhënave të ATK-së, qarkullimi i supermarketeve ka pësuar një rënie prej 10% në krahasim me ditën e mëparshme, duke treguar efektin e bojkotit. Sipas kësaj iniciative, këto të dhëna përputhen me realitetin e tregut, dhe dëshmojnë ndikimin e qytetarëve që veprojnë së bashku.
“Këto shifra bien në kundërshtim të drejtpërdrejtë me pretendimet e Aleancës Kosovare të Bizneseve, e cila, duke cituar burime misterioze, pretendonte se më 15 mars kishte rritje në qarkullim. Kjo është një përpjekje e qartë për të minimizuar ndikimin e bojkotit dhe për të çorientuar opinionin publiK”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Sipas kësaj iniciative, fakti që edhe me të gjitha përpjekjet për të minimizuar bojkotin, ka një rënie të dukshme në qarkullim, është tregues i fuqisë që kanë qytetarët kur veprojnë së bashku, pavarësisht sfidave dhe mungesës së transparencës institucionale.
“Bojkoti i 15 marsit është suksesi më i madh deri tani, duke dëshmuar se presioni qytetar nuk mund të injorohet. Kjo është vetëm një betejë në një luftë më të gjatë për drejtësi ekonomike dhe llogaridhënie”, theksohet në njoftim.



