Kryeministri Kurti u ka bërë thirrje të gjithë kryetarëve të komunave që të mos i respektojnë kontratat kolektive, për të cila nuk ka ende një ligj.
Ai ka thënë se qeveria është e interesuar për ligjshmëri dhe se cdo veprim ndryshe, dëmton punëtorin, sundimin e ligjit dhe Republikën.
“Ai (Kurti) shtoi se kjo çështje kërkon diskutim të hapur e të gjerë me punëtorët bashkë, për hartimin e pastaj zbatimin e kontratave kolektive që reflektojnë nevojën, mundin dhe të drejtën e punëtorit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në këtë takimin e shtatë të rregullt mes qeverisë dhe kryetarëve të komunave, këta të fundit janë njoftuar për rritjen e Bruto Produktit Vendor, shpërndarjen e rreth 1.3 miliardë euro te qytetarët dhe bizneset, rritjen e pagës minimale dy herë brenda mandatit, e së fundmi edhe skemën e re pensionale me 20% rritje për mbi 304 mijë pensionistë.
Sa i përket përfitimit direkt të komunave, Kryeministri Kurti përmendi fillimin e projektit për banim të përballueshëm në 13 komuna, e që deri tani janë nënshkruar 5 marrëveshje, si dhe ndërtimin e shtëpive nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me mbi 130 shtëpi të ndërtuara dhe 200 të tjera në proces të ndërtimit, vetëm në katër komunat në veri të vendit.
Ndër temat e trajtuara në këtë mbledhje të përbashkët ishte edhe çështja e qenve endacakë, ku kryeministri shprehu se menaxhimi efikas kërkon koordinim të plotë midis dy niveleve dhe u shpreh i gatshëm që Qeveria të bashkë financojë bazuar në nevojat reale, duke i siguruar qytetarët nga sulmet e qenve endacakë.
Në anën tjetër, projekti “Ndërlidhja e qytetarit me adresë zyrtare”, i cili synon përmirësimin e administratës publike dhe shërbimeve për qytetarët duke krijuar adresa unike dhe zyrtare, ishte temë tjetër e diskutimit.
“Kjo do të lehtësojë proceset e regjistrimit të adresave, do të rrisë sigurinë dhe do të ndihmojë planifikimin e qëndrueshëm të komunave. Me këtë sistem, qytetarët nuk do të kenë më nevojë për dokumente shtesë për regjistrim, fatura, por do të mund të deklarojnë adresën vetëm me emërtimet zyrtare të rrugëve, duke bërë administratën më të organizuar e gjithsesi edhe më efikase”, shtoi kryeministri Kurti.
Ndërkaq, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se mundësia për ofrimin e zgjidhjeve janë kryetarët e komunave dhe niveli qendror, të cilët hartojnë politika dhe implementojnë programe, në mënyrë që jeta e qytetarëve të përmirësohet dhe të ngritet standardi i tyre i jetesës.