Një shtetas turk është arrestuar në Prishtinë.
Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka gjetur tek ai botoks në vlerë prej rreth 150 mijë euro.
Po ashtu, i janë sekuestruar edhe 11,160 euro para kesh.
“Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pas sigurimit të provave ka ndaluar një të dyshuar mashkull shtetas turk, tek i cili kanë gjetur një sasi të materialit që përdoret në mjekësi (botoks). Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur edhe një sasi tjetër e materialit të njëjtë që është sekuestruar nga Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë. Vlera totale e materialit të sekuestruar sipas çmimit në treg sillet rreth 150 000 €”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.



