Në një Kosovë ku deputetët shfaqen gjithnjë e më të largët nga premtimet dhe morali publik që dikur i predikonin, rasti i fundit me deputetin e Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, është dëshmia më e freskët e kësaj hipokrizie.

Në një foto të publikuar nga vetë ai në rrjetet sociale, Bajqinovci shfaqet i ulur me shokë në një ambient të mbyllur, ku konsumohet qartazi duhan – një shkelje flagrante e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, të rikthyer me masa edhe më të rrepta për zbatim nga qeveria ku bën pjesë partia e tij. I njëjti Bajqinovci që dikur, si gazetar, nuk linte rast pa moralizuar mbi respektimin e ligjit, shëndetin publik dhe përgjegjësinë qytetare.
Për më tepër, ky skandal ndodh në një periudhë kur Vetëvendosje dhe njerëzit e saj më të zëshëm, përfshirë Bajqinovcin, janë në modalitet të plotë parafushate, duke shpenzuar ditë të tëra në aktivitete politike të maskuara si “takime miqësore”, në përgatitje për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Hipokrizia shtohet edhe më shumë kur dihet që Bajqinovci është një nga ata që, në Kuvend, lobon për ngritjen e koleges së tij Albulena Haxhiu në postin e Kryetares së Kuvendit, ndërsa vetë bie në shkelje të hapur të ligjeve që i ka duartrokitur si suksese të qeverisë së tij.
Nëse dikur si gazetar moralizonte për ligj, rregull dhe etikë, sot si deputet ai i shkel ato publikisht, pa ndjesë dhe pa vetëdije për pasojat. Me këtë akt, Bajqinovci jo vetëm që diskrediton veten, por edhe përforcon bindjen se shumë nga ata që sot na ligjërojnë për rendin dhe ligjin, janë të parët që i trajtojnë ato si pengesa të bezdisshme në rrugën drejt pushtetit.
Në fund, një pyetje shtrohet natyrshëm: Nëse deputetët e shumicës nuk respektojnë ligjet e veta, si mund të pritet që qytetarët t’i marrin seriozisht?