Pesë raste të dhunës në familje u raportuan gjatë të dielës në Prishtinë, Shtërpcë, Gjakovë dhe Malishevë. Lidhur me këto raste, tre të dyshuar u dërguan në mbajtje.
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se në rastin ne parë në Prishtinë një person është arrestuar nën dyshimin se ka kanosur gruan me të cilën bashkëjeton. Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka kanosur viktimën femër kosovare me të cilën bashkëjeton. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportim.
Në rastin e dytë në Prishtinë një person është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar bashkëshorten e tij.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa, i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.
Në Shtërpcë, raportohet se një grua është arrestuar pasi dyshohet se sulmoi djalin e saj të mitur. Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe “Sulm”.
“Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, për shkak se e njëjta kishte sulmuar djalin e saj të mitur. Sipas familjarëve e dyshuara vuan nga probleme mendore. Në konsultim me prokurorin e dyshuara pas inicimit të rastit është dërguar në mbajtje”, thekson policia.
Në Gjakovë është arrestuar një person pasi dyshohet se ka keqtrajtuar bashkëshorten e tij.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte keqtrajtuar bashkëshorten e tij. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Edhe në Malishevë një grua dyshohet se u keqtrajtua nga bashkëshorti i saj. Rasti u procedua në procedurë të rregullt.
“Raportohet se viktima femër kosovare ishte keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thekson policia.



