Qindra të rinj i janë bashkuar Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike UNUM i cili do të vijojë edhe ditën e nesërme, tek Rana e Hedhun, në Shëngjin.
Zona bregdetare është kthyer në epiqendër festimesh me performanca live të DJ-ve më të mirë botërorë.
Ky festival muzikor është pikëtakimi i përvitshëm për mijëra turistë e artdashës nga gjithë Evropa me skenografi rërën, pishat dhe detin. Të rinjtë kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës për të ndjekur nga afër 70 artistë që performuan në tri skena të ndryshme të vendosura në bregdet, duke sjellë një atmosfere elektrizuese dhe përvojë unike.
Ky është edicioni i 6-të i UNUM Festival, që çdo vit gjallëron Shëngjinin. Tashmë është kthyer në një traditë që ky festival të organizohet në nisje të sezonit të ri turistik, raporton atsh.
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Elektronike UNUM ka startuar të enjten e 5 qershorit dhe do të vijojë deri nesër, duke i dhënë gjallëri Shëngjinit në nisje të sezonit turistik. Ndërkohë për mbarëvajtjen e aktivitetit janë angazhuar struktura të shumta policore, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë së pjesëmarrësve dhe disiplinim e lëvizjes së automjeteve.



