Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka marrë një vendim të paprecedentë: ka caktuar emrat e mundshëm të pasardhësve të tij, në rast se ai vritet nga sulmet ajrore izraelite — raporton New York Times.

Khamenei, i cili aktualisht po fshihet në një bunker, i ka dorëzuar Kuvendit të Ekspertëve (organi që mbikëqyr liderin suprem) një listë me tre emra për pasardhës të tij, ndërsa djali i tij, Mojtaba Khamenei, nuk është përfshirë në këtë listë — ndonëse shpesh është përfolur si trashëgimtar i pushtetit.

Situata në Lindjen e Mesme është tensionuar skajshmërisht: Irani dhe Izraeli po shkëmbejnë sulme të pandërprera, ndërsa Presidenti Trump po shqyrton mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane. Izraeli ka ndërmarrë ofensivën më të madhe ndaj Iranit që nga koha e luftës në Irak.

Frika e Khameneit është shtuar pas dyshimeve se agjentët izraelitë kanë depërtuar në strukturat më të larta të sigurisë iraniane. “Është e qartë që kemi pësuar një rrjedhje masive të sigurisë dhe inteligjencës, kjo nuk mohohet dot,” ka deklaruar Mahdi Mohammadi, këshilltar i lartë në parlamentin iranian.
Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare ka njoftuar se kushdo që bashkëpunon me Izraelin duhet të dorëzohet brenda ditës, përndryshe do të përballet me dënimin kapital.
Në një fjalim televiziv, Khamenei deklaroi: “Populli i Iranit do të qëndrojë kundër një lufte të imponuar.”

Që nga fillimi i sulmeve ajrore më 13 qershor, Ministria iraniane e Shëndetësisë raporton mbi 400 të vrarë dhe mbi 3,000 të plagosur, mes tyre gra dhe fëmijë. Izraeli ndërkohë ka goditur edhe një qendër kërkimore bërthamore iraniane. Të shtunën, ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz konfirmoi vrasjen e tre komandantëve të lartë iranianë, përfshirë edhe Saeed Izadi, që kishte lidhje me Hamasin dhe dinte për sulmet e 7 tetorit.
Ndërkohë, kryeqyteti Teheran është futur në bllokadë të plotë — interneti i ndërprerë, thirrjet ndërkombëtare të bllokuara dhe zona të tëra të evakuuara.
Në skenën ndërkombëtare, diplomatë dhe liderë botërorë po bëjnë thirrje për t’i dhënë fund përshkallëzimit të dhunës, ndërsa Presidenti Trump pritet të marrë një vendim për ndërhyrjen amerikane brenda dy javësh.