Forcat speciale ukrainase kanë shkatërruar dy bombardues në një bazë ajrore thellë brenda Rusisë, njoftoi agjencia e inteligjencës së Ukrainës, SBU.
Dy avionë të tjerë SU-34 u dëmtuan në operacion, ku dronët me rreze të gjatë sulmuan fushën ajrore Marinovka në rajonin e Volgogradit.
Sulmet e ndodhura gjatë natës shkaktuan gjithashtu një zjarr në “infrastrukturën me rëndësi kritike” në objektin ku servisohen dhe riparohen aeroplanët.
Këto sulme u realizuan në kohën kur presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se kishte biseduar me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
“Po punojmë për këtë çështje. Presidenti Putin më telefonoi dhe tha: ‘Do të doja shumë t’ju ndihmoja me Iranin’. Unë thashë: ‘Më bëj një nder, unë do të merrem me Iranin. Më ndihmo me Rusinë. Duhet ta zgjidhim këtë çështje’. Dhe mendoj se diçka do të ndodhë atje”, tha Trump.
Nga ana tjetër, ladimir Putin tha se falë Donald Trump, SHBA-të dhe Rusia po fillojnë të bashkëpunojnë.
“Në përgjithësi, falë Presidentit Trump, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po fillojnë të stabilizohen në disa mënyra”.
Duke folur me gazetarët në Minsk, ai tha gjithashtu se Rusia planifikon të shkurtojë shpenzimet ushtarake në planin afatgjatë.
Rusia po përballet me presione buxhetore për shkak të rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes, të cilat kanë nxitur inflacionin, tha ai.
Moska është gjithashtu e gatshme të zhvillojë një raund të ri negociatash paqeje me Ukrainën, shtoi Putin, duke propozuar që ato mund të zhvillohen në Stamboll të Turqisë, megjithëse koha dhe vendi ende nuk janë dakordësuar.
Putini shtoi se Rusia është gati të kthejë trupat e 3,000 ushtarëve të tjerë ukrainas.