spot_img
E shtunë, 22 Nëntor, 2025
00:42
HomeSiguriaPoliciaOperacion në kufi kundër krimit financiar, mbi 16 mijë franga të sekuestruara

Operacion në kufi kundër krimit financiar, mbi 16 mijë franga të sekuestruara

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është ndaluar mbrëmjen e së shtunës në pikën kufitare Hani i Elezit, pasi në veturën që po drejtonte u zbuluan mijëra monedha të dyshuara si të falsifikuara.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, rreth orës 21:15, në kuadër të kontrolleve rutinore, zyrtarët doganorë dhe policorë kanë selektuar për kontroll të detajuar një veturë të tipit Audi A2, ngjyrë e gjelbër metalike, me targa të Maqedonisë së Veriut. Automjeti po drejtohej nga një shtetas me inicialet S.Xh., i lindur më 1981 në Shkup.

- Advertisement -

Gjatë kontrollit të detajuar, në pjesë të fshehura nën ulëset e përparme të veturës, janë gjetur disa qese plastike të mbushura me monedha metalike prej 2 frangash zvicerane. Sipas autoriteteve, dyshohet se këto monedha janë të falsifikuara.

“Në vendngjarje kanë dalë njësitet relevante të policisë, përfshirë ekipet e hetuesisë, të cilat pas inventarizimit të parë kanë konstatuar se bëhet fjalë për gjithsej 8,076 monedha, me vlerë të përgjithshme prej 16,152 franga zvicerane”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

- Advertisement -

I dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit për Krime të Rënda dhe ndaj tij është iniciuar rasti penal për veprën “Falsifikim i parasë”. Monedhat e dyshuara dhe automjeti janë sekuestruar dhe rasti është proceduar më tej në njësinë rajonale të hetimeve.

Autoritetet kanë ritheksuar përkushtimin e tyre për të luftuar veprimtaritë ilegale në zonat kufitare, veçanërisht ato që kërcënojnë sigurinë publike dhe sistemin financiar.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit ndërkufitar”, theksohet tutje në komunikatë.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat