Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën, ka parandaluar dy raste të kontrabandës me cigare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, gjatë datave 14 dhe 16 korrik.
Sipas autoriteteve, dy shtetas të huaj janë ndaluar në përpjekje për të larguar nga Kosova rreth 375 boksa cigare të padeklaruara dhe pa banderola drejt Londrës. Produktet e kontrabanduara ishin të markave të njohura si Malboro (e kaltër, e bardhë dhe e kuqe), si dhe brende të tjera, dhe ishin fshehur në valixhet e udhëtarëve, të cilat ishin dorëzuar në check-in.
Zbulimi u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë me Njësitin e Informacionit të Pasagjerëve (PIU), që ka ndihmuar në identifikimin e tentativave për shmangie doganore.
Të gjitha mallrat janë sekuestruar, ndërsa rastet janë proceduar për hetime të mëtejshme nga Dogana e Kosovës.
Autoritetet doganore dhe policore kanë deklaruar se do të vazhdojnë përpjekjet për të luftuar kontrabandën dhe për të garantuar zbatimin e ligjit në të gjitha pikat kufitare të vendit.



