“Lidershipi” titullohet libri i Henry Kissinger, ish-sekretari amerikan i Shtetit, i cili u prezantua sot në Tiranë.
Parathënia e librit të Kissinger është shkruar nga kryeministri Edi Rama, i cili është i pranishëm në prezantimin e librit në Kryeministri.
Libri “Lidershipi”, i Henry Kissinger vjen në shqip përmes një botimi të veçantë, ku përmes gjashtë rrëfimesh spektakolare mbi gjashtë udhëheqës botërorë.
Në fjalën e tij, Rama tha se “ky është një libër i jashtëzakonshëm i një autori të jashtëzakonshëm. Është një libër që besoj se edhe për dikë që s’do t’ia dijë fare për politikën apo historinë e politikës është tërheqës nga fillimi deri në fund”.
“Nuk besoj se ka një libër më të përshtatshëm për Qendrën për Hapje dhe Dialog ku janë bërë shumë prezantime librash”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “parathënia e këtij libri ka qenë një nga ushtrimet më të vështira për mua në sensin e përgjegjësisë, sepse të fusësh fjalët e tua në një libër ku janë fjalët e një njeriu të jashtëzakonshëm për shumë gjëra, por edhe nga aftësia e të shkruarit nuk është diçka e lehtë”.
“Në këtë libër mund të admirohet gjenialiteti i një prej mendjeve më të mprehta të politikës botërore mbi artin e udhëheqjes, me të cilin pata privilegjin e një bisede të paharrueshme rreth punëve të botës. Privilegj i veçantë ishte po ashtu, që në përgjigje të ftesës së shtëpisë botuese “MediaUnion”, të shkruaja parathënien e këtij libri fenomenal”, tha Rama.