Menjëherë pas triumfit në Venecia, filmi “Familja” i regjisorit Jim Jarmusch, do të shfaqet në Tirana International Film Festival.
Tirana do të jetë qyteti i dytë në botë ku do të shfaqet fituesi i Luanit të Artë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Venecias 2025. Filmi, me titull original “Father, mother, sister, brother”, do të hapë edicionin e 23-të të TIFF-it, më 21 shtator.
Ky është një lajm fantastik për të gjithë adhuruesit e kinemasë dhe të veprës së regjisorit, Jarmusch. Gjithashtu, “Familja” do të shfaqet edhe mbrëmjen e datës 23 shtator, me bileta për publikun.
Ky edicion i Tirana International Film Festival do të zhvillohet nga 21 deri më 27 shtator. Prej tij do të përzgjidhen filmat të cilët do të kualifikohen në garën për Çmimet Oscar si dhe për European Film Awards. Ndërsa filmat studentorë të përzgjedhur zyrtarisht në TIFF kanë të drejtë të konkurrojnë për Çmimet Student Academy® (SAA).
Që nga viti 2013, TIFF është gjithashtu pjesë e 110 festivaleve më të rëndësishme në botë, të cilat ndiqen me vëmendje të veçantë online, por edhe fizikisht nga HFPA – Hollywood Foreign Press Associations. /atsh