Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 12 tetorit.
Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, gjatë hapjes në Prishtinë, ka dhënë një mesazh të fuqishëm për shpresë, besim dhe transformim.
Në tubimin e parë të mbushur me mbështetës, ai tha se kjo nuk është vetëm një fushatë, por një fillim i ri për vendin, duke shpallur “nisjen e rrugëtimit drejt fitores më 12 tetor”.
“Sonte jemi mbledhur për të ndezur shpresën e një populli. Për ta kthyer besimin në politikë dhe në Republikë”.
Kryetari i LDK-së theksoi se kjo fushatë nuk është thjesht garë për pushtet, por një përpjekje për ta rikthyer vendin në shinat e zhvillimit dhe progresit, me një vizion të ri dhe të qartë.
“Sonte jemi mbledhur për të nisur rrugëtimin e madh drejt fitores së 12 tetorit; dhe me gjithë të, për të nisur një kapitull të ri të jetës në vend”.
Abdixhiku vuri theksin te qeverisja e deritashme e LDK-së në Prishtinë, duke e përshkruar si “transformim kolosal” që ka prekur çdo aspekt të jetës qytetare, nga infrastruktura te arsimi, nga mjedisi te teknologjia.
“Kemi dëshmuar se qyteti mund të zhvillohet në harmoni me ajrin, ujin dhe tokën. Se ndërtimi nuk do të thotë vetëm beton, por jetë, gjelbërim, dhe respekt për njeriun”.
Duke prezantuar platformën PËRTEJ, ai shpalosi qartë drejtimet kryesore të programit të LDK-së për mandatin e ardhshëm, ndër to: transport ekologjik, ndërtim të unazave të qytetit, digjitalizim të shërbimeve dhe platforma të reja për transparencë me qytetarët.
“Ne jemi gati të shkojmë PËRTEJ, me infrastrukturën, me teknologjinë, me mjedisin, me kulturën, me mendësinë”.
Në fund të fjalimit, Abdixhiku bëri thirrje për mobilizim dhe për bashkim rreth vizionit të ri të LDK-së.
“Ju ftoj, secilën dhe secilin që voton në Kryeqytet, të shkojmë PËRTEJ. Të mos ndalemi në të zakonshmen, por të zgjedhim guximin, dijen dhe të ardhmen”.