spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
04:57
HomeKulturëUl siparin Festivali Ballkanik i Filmit në Pogradec, çmimi “Fatos Baxhaku” shkon...

Ul siparin Festivali Ballkanik i Filmit në Pogradec, çmimi “Fatos Baxhaku” shkon në Greqi

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë uli siparin e edicionit të tij të 15-të në qytetin piktoresk të Pogradecit, duke kthyer sërish këtë qytet në kryeqendrën kulturore të rajonit.

Përgjatë 5 ditëve, mbi 50 filma nga e gjithë Ballkani u shfaqën për publikun, me një përzgjedhje artistike që u vlerësua nga kritika dhe publiku.

- Advertisement -

Dhjetë çmime u ndanë për filmat më të mirë, përfaqësuesve nga pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit, duke reflektuar larminë kulturore dhe artistike të rajonit.

Organizatorja Gerta Qurku u shpreh se, “Pogradeci edhe një herë foli një gjuhë, gjuhën e filmit. Jemi shumë të lumtur që edhe ky edicion u mbyll me sukses. Fillon puna për edicionin e ardhshëm.”

- Advertisement -

Çmimi “Fatos Baxhaku”, një nga vlerësimet më të rëndësishme të këtij festivali që nderon bashkorganizatorine nismëtarin e tji, shkoi në Greqi, për regjisorin Dimitris Argyriou, me dokumentarin e fuqishëm “Memories of Occupation”. Filmi trajton traumën e Luftës së Dytë Botërore dhe ndikimin e saj tek brezat pasardhës, përmes historisë së një fshati të shkatërruar nga nazistët.

Regjisori Dimitris Argyriou u shpreh se “Ky film flet për përballjen me të kaluarën, me traumën që mbartet brez pas brezi. Jam krenar për çmimin dhe mezi pres të rikthehem në këtë festival të veçantë”.

Një nga pikat më të veçanta të këtij festivali ishte përfshirja e filmave të vjetër të restauruar, duke i dhënë publikut një përvojë të rrallë nostalgjike dhe historike.

Në mbyllje të festivalit, Eljan Tanini, drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), foli për rëndësinë e restaurimit të filmave shqiptarë, si një akt shpëtimi për trashëgiminë kulturore:

“Një pjesë e mirë e filmave do të zhdukeshin përfundimisht pa restaurim. Kemi propozuar një nismë për vendosjen e tabelave informuese në Pogradec për vendet ku janë xhiruar filmat më të rëndësishëm shqiptarë kjo do t’i shtonte qytetit një dimension të ri kulturor dhe turistik”, tha ai.

Festivali vazhdon të jetë një urë bashkëpunimi kulturor në rajon, duke ndërthurur artin filmik me shijet autentike ballkanike dhe duke e bërë Pogradecin një destinacion të veçantë për kulturën dhe turizmin elitar. /atsh

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat