spot_img
E hënë, 29 Shtator, 2025
17:20
HomeSiguriaUshtriaArmatimi në Ballkanin Perëndimor, Serbia me Kinën e Rusinë, të tjerët me...

Armatimi në Ballkanin Perëndimor, Serbia me Kinën e Rusinë, të tjerët me NATO-n

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Serbia balancon midis Rusisë, Kinës dhe Perëndimit, ndërsa fqinjët e saj mbështeten kryesisht te bashkëpunimi me shtetet anëtare të NATO-s.

Analistët thonë se këto aleanca të kundërta, në një formë ose tjetër, pasqyrojnë rivalitetin global në Ballkanin Perëndimor.

- Advertisement -

Kështu, rajoni, i cili para një çerek shekulli doli nga lufta e fundit që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë, vazhdon të mbetet nën rreziqe të sigurisë.

Kontrasti më i theksuar është mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa Kosova synon integrim më të thellë në NATO, Serbia, krahas bashkëpunimit me NATO-n, ndërvepron edhe me Pekinin dhe Moskën.

- Advertisement -

Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina janë dy shtete të Ballkanit Perëndimor që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ashtu si edhe Kina dhe Rusia.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky kombinim e ka shndërruar prej kohësh Ballkanin Perëndimor në një version miniaturë të rivaliteteve globale.

“… sepse siguria sot nuk është vetëm çështje mbrojtjeje. Siguria është çështje infrastrukture, teknologjie, politike, ekonomike dhe ushtarake. Marrë parasysh këto, raportet që i ka krijuar Serbia [me Rusinë dhe Kinën] janë çështje e një shqetësimi jo të vogël”.

Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë

Harmonizimi i modernizimit ushtarak me synimet e deklaruara euroatlantike mbetet çështje e diskutueshme edhe për Nikolla Lluniqin, konsulent në Beograd për çështje gjeopolitike dhe të sigurisë.

“Do të ishte e pritshme që – nëse të gjitha vendet synojnë të anëtarësohen një ditë në NATO dhe sigurisht në Bashkimin Evropian – struktura evropiane e sigurisë të ishte plotësisht e përputhshme. Kjo nënkupton që blerjet ushtarake të koordinohen. Por kjo, normalisht, nuk ndodh në rajonin tonë, për shkak të historisë sonë të papërfunduar dhe narrativëve shpesh nacionalistë dhe agresivë”.

Nikolla Lluniq, drejtor ekzekutiv i Këshillit joqeveritar për Politika Strategjike në Beograd

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s; Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina aspirojnë të anëtarësohen, ndërsa Serbia – edhe pse ushtarakisht neutrale – është pjesë e programit të NATO-s “Partneriteti për Paqe”.

Vendet anëtare të NATO-s, në parim, kanë armatim të dizajnuar ose të përshtatur që të jetë i ndërveprueshëm. Kjo do të thotë se pajisjet duhet të flasin “gjuhën” e njëjtë teknologjike.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Serbia ka bërë shpenzimet më të mëdha ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë pesë vjetëve të fundit, duke blerë armatim si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Lindja.

Vetëm në vitin 2024, Serbia ndau 2.2 miliardë dollarë për ushtrinë – rreth pesë herë më shumë se Shqipëria, që është anëtare e NATO-s. Kosova ndau rreth 162 milionë, krahasuar me 90 milionë të ndarë në vitin 2020.

Për Mediun, çekuilibri i tillë në investimet ushtarake ngre “flamurin e kuq”.

“Serbia – po t’i shohësh politikat e saj në Bosnje dhe Herecegovinë e në mënyrë të veçantë në Kosovë – nuk ka hequr dorë kurrë nga pretendimet për të mbrojtur, siç thotë ajo, popullsinë serbe. Është i njëjti narrativ që ka përdorur edhe Rusia [për pushtimin e Ukrainës]. Pra, ajo s’ka për të hequr dorë nga dominimi në rajonin e Ballkanit”.

Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë

Si arsyetim për armatosjen e Serbisë, Vuçiq shpesh përmend “kërcënimet nga fqinjësia”, pa specifikuar se prej kujt. “Ne nuk do të prekim askënd, vetëm do të mbrojmë territorin dhe integritetin tonë”, deklaroi në fillim të shtatorit në Pekin.

Për Lluniqin, kjo retorikë është për përdorim të brendshëm. Por, përpjekjet e tij për të balancuar mes të gjithëve, përfshirë Kinën dhe Rusinë, në një moment të caktuar mund t’i kthehen bumerang.

“Nëse kriza aktuale gjeopolitike eskalon, atëherë edhe vetë Serbia do të ishte në një situatë shumë të ndjeshme, ku askush nuk do ta pranonte statusin e saj neutral. Në një situatë të tillë, të gjithë do ta perceptonin Serbinë si një partnere të pabesueshme”.

Nikolla Lluniq, drejtor ekzekutiv i Këshillit joqeveritar për Politika Strategjike në Beograd

Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, thotë se Kina kërkon pikëmbështetje në Evropë dhe Serbia, me nevojat e saj ekonomike dhe me lëkundjet e vazhdueshme mes Lindjes e Perëndimit, është partnere tërheqëse.

Shea nuk e përjashton mundësinë që Vuçiq, për shkak të trazirave të brendshme dhe tensioneve rajonale, të ndjekë një qasje më konfrontuese edhe ndaj fqinjëve.

Ai thotë se NATO-ja duhet t’i monitorojë nga afër zhvillimet e sigurisë, sidomos përgjatë kufijve dhe në zonat e prira për trazira, dhe të jetë e gatshme të reagojë shpejt nëse tensionet përshkallëzohen.

“Mendoj se është e rëndësishme tani që NATO-ja të ketë një të dërguar të posaçëm në rajon, i cili do të punonte bashkë me përfaqësuesit e BE-së dhe të SHBA-së”.

Jamie Shea, ish-zyrtar i NATO-s

Në vazhdim mund të lexoni se kush me kë në Ballkanin Perëndimor tregton armë dhe bashkëpunon ushtarakisht:

KOSOVA

Forca e Sigurisë së Kosovës, aktualisht, është në proces të transformimit në ushtri.

Ky proces filloi në vitin 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore, dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Kosova, me një popullsi prej 1.5 milion banorësh, pritet të ketë më shumë se 7.500 ushtarë aktivë dhe rezervistë, si dhe një forcë policore prej rreth 9.000 pjesëtarësh.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur transformimin e FSK-së në ushtri që nga fillimi, por jo edhe NATO-ja, e cila këmbëngul që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj origjinale, siç janë reagimi ndaj krizave ose mbrojtja civile.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës konfirmon për Radion Evropa e Lirë se “të gjitha armët që Kosova ka blerë në katër vjetët e fundit, janë në përputhje me standardet e NATO-s. Ato janë kryesisht armë të blera nga Shtetet e Bashkuara, Turqia, Gjermania dhe vende të tjera”.

Zëdhënësja Liridona Gashi nuk zbulon se sa është shpenzuar këtë vit për armatim, por thekson se kjo qeveri ka investuar “shumëfish më shumë” se të kaluarat.

Në shtator, FSK-ja ka pranuar dronë të blerë nga Shtetet e Bashkuara – modeli RQ-20 Puma LE.

Në gusht, FSK-ja është pajisur edhe me automjete të blinduara, të blera nga Shtetet e Bashkuara.

Vitin e kaluar, ajo ka paraqitur kërkesë për të blerë edhe 200 raketa antitank, Javelin, dhe tani është në proces të pagesës.

Kosova ka blerë edhe një flotë të dronëve turq, Bayraktar, në vitin 2023.

Në vitin 2018, nga SHBA-ja në Kosovë kanë arritur edhe automjete ushtarake të tipit Humvee. Qeveria e Kosovës, atëkohë, ka nënshkruar një kontratë me kompaninë amerikane AM General për blerjen e 51 automjeteve të këtij lloji.

Dy vjet më vonë, Kosova ka blerë edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërsa në vitin 2021, Qeveria amerikane i ka dhuruar Kosovës 55 automjete ASV (Automjete të Blinduara Sigurie).

Viteve të fundit, Qeveria e Kosovës e ka rritur buxhetin për sektorin e mbrojtjes – këtë vit ka arritur në 207.8 milionë euro.

FSK-ja stërvitet vazhdimisht në bazat amerikane dhe evropiane, dhe gjithashtu merr pjesë në ushtrime shumëkombëshe si “Defender Europe”.

Në fund të vitit të kaluar, Kosova ka nënshkruar edhe një marrëveshje me Turqinë për të ndërtuar fabrikën e saj të parë të municioneve.

Gashi, nga Ministria e Mbrojtjes, thotë se pritjet janë që ajo të funksionalizohet “brenda dy vjetësh”. Ndërsa, për bashkëpunimin ushtarak të shpallur në mars mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, thotë se aktualisht “është duke u përpiluar plani i përbashkët i aktiviteteve”.

Megjithatë, rruga e Kosovës drejt NATO-s është ende e gjatë, meqë katër vende të aleancës nuk e njohin shtetësinë e saj.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, sugjeron krijimin e kapaciteteve të përbashkëta ushtarake.

“E vetmja mënyrë për t’i bërë ballë këtij lloj agresioni politik të Serbisë në bashkëpunim me Kinën dhe Rusinë, është t’i ndërtojmë tri elemente të rëndësishme: një deterrancë ushtarake të vendeve të NATO-s në rajonin e Ballkanit, një deterrancë politike për një analizë të përbashkët të çështjeve të sigurisë dhe një deterrancë ekonomike. Këto janë të lidhura me njëra-tjetrën”.

Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë

Duke iu referuar përvojës së vendeve baltike, Mediu e vlerëson nismën e Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë për bashkëpunim në mbrojtje, me shpresën që ajo të ngrihet në një nivel më të avancuar.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, e cila ishte nikoqire e ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, njoftoi se në shtator të vitit 2025, udhëzuesi, i cili është në fazat e fundit të zhvillimit, do t’u paraqitet ministrive të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë për miratim.

Deklarata e nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes në detyrë i Kosovës, Ejup Maqedonci, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, përcaktoi katër pika bashkëpunimi:

  • Promovimi i aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimit në industritë përkatëse;
  • Rritja e ndërveprimit përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve ushtarake;
  • Reagimi ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë;
  • Mbështetja e plotë për integrimin euroatlantik.

Blerja e kapaciteteve mbrojtëse është detyrimi i parë nga deklarata. Sipas Maqedoncit, qëllimi është të bëhet një porosi e vetme, në vend të tri porosive të ndara nga secili vend.

“Për shembull, për një sistem [armësh], për të cilin jemi të interesuar të tria shtetet që ta blejmë nga SHBA-ja, ta bëjmë porosinë si një blerje, duke shfrytëzuar legjislaturën e secilit vend, por që sasia dhe koha e liferimit të determinohet si e përbashkët, sepse prej SHBA-së kur blen më shumë, kushton më lirë dhe vjen më shpejt”.

Ejup Maqedonci, ministër në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë

SERBIA

Ndërsa zhvillon rregullisht ushtrime me vendet anëtare të NATO-s, në kuadër të programit të aleancës “Partneriteti për Paqe”, ku bën pjesë që nga viti 2006, Serbia po forcon bashkëpunimin ushtarak edhe me Kinën, ndërsa bashkëpunimi i saj me Rusinë ka mbetur më i kufizuar, pas pushtimit rus të Ukrainës.

Baza e bashkëpunimit me të gjitha palët është përcaktuar nga vendimi për neutralitet ushtarak, të cilin Kuvendi i Serbisë e ka miratuar në vitin 2007.

Në takimin e fundit midis zyrtarëve serbë dhe atyre të NATO-s, gjatë vizitës në Beograd të komandantit të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, Stuart Munsch, mesazh i zyrtarëve serbë ishte se “Serbia mbetet ushtarakisht neutrale dhe e hapur për bashkëpunim me NATO-n, për hir të stabilitetit dhe sigurisë në rajon”.

Ushtria serbe bashkëpunon me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, që nga viti 2005.

Serbia kufizohet me Kroacinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Bullgarinë, të cilat janë vende anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, dhe me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi – gjithashtu vende anëtare të NATO-s.

Më 20 shtator, në Beograd u mbajt një paradë ushtarake, e quajtur “Fuqia e Unitetit”. Në të u shfaqën 2.500 armë dhe pajisje ushtarake, 600 automjete, 70 avionë dhe 20 mjete lundruese, ndërsa 10.000 ushtarë parakaluan para Pallatit të Serbisë.

Shkas për paradën ishte një festë kombëtare – Dita e Unitetit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar Serb.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, Serbia nuk ka marrë pjesë në ushtrime apo trajnime ushtarake me Rusinë, e as në ushtrimet që organizon Organizata për Siguri Kolektive nën patronazhin e Rusisë.

Por, në fund të korrikut, njësitë speciale të Ushtrisë së Serbisë zhvilluan stërvitjen e parë të përbashkët me ushtarë nga Kina, në provincën kineze Hebei – pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit ndaj Beogradit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 3 shtator, pas pjesëmarrjes në paradën ushtarake në Pekin, se e ka shfrytëzuar atë ngjarje për të parë se “çfarë do të ishte me interes të blihej për nevojat e Ushtrisë së Serbisë, në mënyrë që të shërbente si faktor parandalues ndaj çdo agresori të mundshëm nga fqinjësia”.

Që nga prilli, Serbia ka marrëveshje bashkëpunimi ushtarak edhe me Hungarinë.

Atëkohë, Budapesti dhe Beogradi ranë dakord për stërvitje të përbashkëta, ushtrime me helikopterë dhe ushtrime të tjera, bashkëpunim në sektorët e industrive të mbrojtjes, në siguri kibernetike, në operacione paqeruajtëse dhe në arsim ushtarak.

Në mes të marsit, Beogradi e karakterizoi si provokim Deklaratën e nënshkruar në Tiranë nga Shqipëria, Kroacia dhe Kosova.

Tri vendet u zotuan për forcimin e bashkëpunimit ushtarak, në përgjigje të sfidave të sigurisë, që mund të kërcënojnë stabilitetin rajonal.

Stërvitja e përbashkët inxhinierike e Ushtrisë së Serbisë dhe Gardës Kombëtare të Ohajos u zhvillua në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror mes Serbisë dhe Ohajos. Ajo u mbajt në Serbi.

Stërvitja e përbashkët e forcave speciale të Serbisë dhe Egjiptit për operacione antiterroriste. Në stërvitjen, e cila u zhvillua në Serbi, morën pjesë skuadrat luftarake të Brigadës 72 për Operacione Speciale dhe forcat egjiptiane “El Saka”, me mbështetjen e njësive të helikopterëve të Ushtrisë së Serbisë. Kjo pasoi një stërvitje të ngjashme në vitin 2024 në poligonet e Egjiptit.

Në provincën kineze, Hebei, u mbajt stërvitja e parë e përbashkët e njësive speciale të ushtrive të Serbisë dhe Kinës “Roja e Paqes 2025”.

Importi dhe eksporti i armëve dhe pajisjeve ushtarake

Serbia importon armë dhe pajisje ushtarake si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, në disa raste, ka refuzuar t’i japë informacione Radios Evropa e Lirë për vlerën e blerjeve të armëve nga Rusia dhe Kina, duke i cilësuar këto të dhëna si “sekrete”.

Çfarë dihet?

Para pushtimit rus të Ukrainës, Serbia mbështetej në masë të madhe në armët ruse. Pajisjet e fundit që mbërritën në Serbi nga Rusia, dy vjet pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, ishin sistemi anti-dron Repelent. Ato ishin pjesë e një blerjeje të kontraktuar dhe të paguar qysh më herët, por që nuk mund të dorëzoheshin pikërisht për shkak të luftës në Ukrainë.

Sistemi rus mobil anti-dron për pengimin elektronik “Repelent” u nxor në Nish, në jug të Serbisë, gjatë një ekspozite të armëve dhe pajisjeve ushtarake në shkurt të vitit 2024.

Serbia ka blerë nga Kina dronë luftarakë – të parët u prezantuan në vitin 2020. Kështu, ajo u bë operatori i parë i raketave kineze në Evropë. I njëjti rast ishte edhe me dronët luftarakë kinezë CH-92A, të cilët iu prezantuan publikut në korrik të vitit 2020. Serbia bleu nga Kina edhe sistemin raketor kundër-ajror FK-3, në vitin 2022.

Për shkak të intensifikimit të bashkëpunimit me Kinën, Beogradi zyrtar ka marrë paralajmërime dhe kritika nga Bashkimi Evropian – ku Serbia mëton të anëtarësohet.

Ushtarët e Ushtrisë së Serbisë qëndrojnë pranë sistemit raketor kinez FK-3, gjatë një demonstrimi të kapaciteteve të mbrojtjes ajrore në aeroportin ushtarak në Batajnicë, më 30 prill 2022.

Serbia ka blerë edhe avionë luftarakë francezë Rafale. Marrëveshja për ta u arrit gjatë vizitës së presidentit francez, Emmanuel Macron, në Serbi, në gusht të vitit 2024.

Me këtë blerje, Serbia – për herë të parë – ka futur avionë luftarakë perëndimorë në aviacionin e saj ushtarak. Vlera e kontratës për 12 avionë luftarakë dhe pajisjet shoqëruese dhe shërbimet e lidhura llogaritet të jetë rreth 2.7 miliardë euro.

Në prill të këtij viti, Serbia ka nënshkruar edhe një marrëveshje të re bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me Hungarinë – vend anëtar i BE-së dhe NATO-s.

Vuçiq tha atëkohë se Beogradi, pasi bleu transportuesit e blinduar BTR-80A nga Budapesti vitin e kaluar, është i interesuar të blejë sisteme të tjera të mbetura në Hungari nga periudha sovjetike, si dhe automjetet e reja luftarake Links KF-51, që Hungaria i prodhon në bashkëpunim me Rheinmetall-in e Gjermanisë.

Ai shtoi se Hungaria blen municione të kalibrit 7.62 nga Serbia dhe se është e interesuar për automjete luftarake 8×8, të prodhuara në Serbi.

Ndërkaq, bashkëpunimi ushtarak mes Serbisë dhe Izraelit doli në qendër të vëmendjes publike pas akuzave të Kombeve të Bashkuara kundër Izraelit, për shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime lufte në Gazë.

Vuçiq tha në qershor se Serbia ka ndaluar eksportin e municionit drejt çdo vendi, përfshirë edhe Izraelin, pas sulmit izraelit ndaj Iranit. Megjithatë, nuk dihet çfarë saktësisht dhe sa municion ishte eksportuar më herët në Izrael.

BOSNJA DHE HERCEGOVINA

Sipas planit vjetor, Forcat e Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës do të marrin pjesë në gjithsej 17 ushtrime të rregullta vjetore ushtarake ndërkombëtare, gjatë vitit 2025.

Këto aktivitete kryhen nëpërmjet bashkëpunimit me aleancën e NATO-s, në kuadër të nismave rajonale dhe dypalëshe, si dhe në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara për bashkëpunim në mbrojtje.

Pjesëmarrja në nëntë ushtrime është planifikuar në kuadër të Programit Individual të Partneritetit dhe Bashkëpunimit (IPCP) dhe Planit Individual të Veprimit të Partneritetit (IPAP) të NATO-s. Këto ushtrime organizohen nën kujdesin e NATO-s, Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF) dhe Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara për Evropë (USAFE).

Ushtarë britanikë Gurkha – anëtarë të forcave të NATO-s – gjatë një stërvitjeje ushtarake në Sarajevë, më 11 tetor 2019.

Bosnja dhe Hercegovina është përfshirë në Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP) të NATO-s, i cili është një hap drejt anëtarësimit të plotë, por pa asnjë garanci se do të pranohet.

Pjesëmarrja në MAP nuk paragjykon anëtarësimin e një vendi në aleancë, ka deklaruar NATO-ja.

Anëtarësimi në këtë aleancë kundërshtohet si nga partitë në pushtet, ashtu edhe nga ato opozitare në entitetin Republika Sërpska të Bosnje dhe Hercegovinës.

Pjesëtarë të policisë nga Republika Sërpska.

Forcat e Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës planifikojnë të marrin pjesë edhe në një stërvitje shumëpalëshe në kuadër të iniciativës ushtarake ballkanike B9, e cila bashkon Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Rumaninë, Serbinë, Turqinë dhe Malin e Zi.

Është planifikuar, gjithashtu, pjesëmarrja në stërvitjen ushtarake SHBA-Karta e Adriatikut (A5), anëtare të së cilës janë: Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Serbia, Sllovenia dhe Kosova marrin pjesë si vëzhguese.

Përveç kësaj, Forcat e Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës kryejnë ushtrime të rregullta ushtarake vjetore me Gardën Kombëtare të shtetit amerikan të Merillendit.

Ku shet dhe blen armë dhe municion Bosnja dhe Hercegovina?

Ky vend eksporton shumë më tepër armë sesa importon, dhe blerësit kryesorë janë vendet perëndimore dhe vendet në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër, armët importohen kryesisht nga vendet fqinje dhe më gjerë, tregojnë të dhënat nga shërbimet doganore dhe Dhoma e Tregtisë së Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë.

Megjithatë, nga informacionet në dispozicion, nuk është e qartë saktësisht se për cilat lloje armësh bëhet fjalë, as nuk specifikohet nëse janë të destinuara për ushtrinë ose policinë, apo nëse janë armë sportive ose gjuetie, pasi këto janë informacione të klasifikuara.

Eksporti total i armëve nga Bosnja dhe Hercegovina u rrit nga 120.2 milionë euro në vitin 2021 në 208.4 milionë euro në vitin 2024. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, u eksportuan armë dhe municione me vlerë 122 milionë euro.

Rritja e eksporteve të municioneve dhe armëve filloi në vitin 2022 – kohë që përkon me fillimin e pushtimit rus të Ukrainës. Megjithatë, zyrtarisht, Bosnja dhe Hercegovina nuk eksporton armë në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë blerëset më të mëdha të armëve nga Bosnja dhe Hercegovina, pastaj vijnë: Republika Çeke, Arabia Saudite, Turqia, Serbia, Sllovakia, Gjermania…

Kur bëhet fjalë për importet, Italia, Turqia, Serbia dhe Republika Çeke janë ndër furnizueset kryesore me armë, municione dhe pajisje tjera në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe herë pas here regjistrohen importe më të mëdha edhe nga SHBA-ja.

Si është situata në ushtri?

Shpenzimi më i madh nga buxheti shtetëror i Bosnje dhe Hercegovinës bëhet për Ministrinë e Mbrojtjes, buxheti vjetor i së cilës në pesë vjetët e fundit arrin mesatarisht në 143 milionë euro.

Rreth dy të tretat e kësaj shume shkojnë për pagat e punonjësve.

Kur bëhet fjalë për pajisjet dhe armët, sipas raportit të fundit publik nga Komisionari Ushtarak i vitit 2021, vetëm 11 për qind e automjeteve të mallrave dhe 50 për qind e automjeteve të pasagjerëve kanë qenë në gjendje të mirë.

Nga automjetet luftarake, në shërbim kanë qenë rreth 50 transportues të blinduar personeli dhe gjashtë tanke të vjetra amerikane M60. Mosha mesatare e këtyre automjeteve është rreth 40 vjet.

Nga katër helikopterët e dhuruar nga SHBA-ja në vitin 2021, tre janë funksionalë, ndërsa njëri është dëmtuar gjatë stërvitjeve.

Ushtria ka edhe dhjetë helikopterë amerikanë nga periudha e pasluftës – më të vjetër se 30 vjet. Helikopterët rusë të mallrave janë nxjerrë nga përdorimi për shkak të pamundësisë së riparimit.

Shumica e pajisjeve në Bosnje dhe Hercegovinë vijnë nëpërmjet donacioneve – kryesisht nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Turqia, por edhe Kina, e cila i ka dhuruar kamionë, katër vjet më parë.

Forcat e Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës janë formuar në vitin 2005, duke bashkuar forcat e mëparshme ndërluftuese – Ushtrinë e Bosnje dhe Hercegovinës, e cila përbëhej kryesisht nga boshnjakët, Këshillin Kroat të Mbrojtjes, i cili përbëhej kryesisht nga kroatët, dhe Ushtrinë e Republikës Sërpska, e cila përbëhej kryesisht nga serbët.

Sot, këto forca numërojnë rreth 10.000 ushtarë profesionistë.

Komanda supreme është në duart e Presidencës 3-anëtarëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, e cila duhet t’i marrë të gjitha vendimet unanimisht. Ministria e Mbrojtjes i ka dy zëvendës përveç ministrit, dhe të gjithë ata duhet të jenë të kombësive të ndryshme dhe duhet të arrijnë konsensus për çështjet më të rëndësishme.

MALI I ZI

Në tre vjetët e fundit, Ushtria e Malit të Zi ka organizuar dhe ka marrë pjesë në disa ushtrime ndërkombëtare – të realizuara në kuadër të NATO-s, anëtare e së cilës është që nga viti 2017 – në nisma rajonale dhe në bashkëpunime dypalëshe.

Ndër ushtrimet më të rëndësishme ndërkombëtare në territorin e Malit të Zi janë “CommonChallenge”, “ImmediateResponse” dhe “AdrionLivex”, thanë nga Ministria e Mbrojtjes për Radion Evropa e Lirë.

Flamujt e NATO-s dhe Malit të Zi në Cetinje, 3 dhjetor 2015.

Në to kanë marrë pjesë njësi të ushtrive aleate nga vendet anëtare të NATO-s, përfshirë SHBA-në, Italinë, Kroacinë, Slloveninë, Greqinë, Shqipërinë, Mbretërinë e Bashkuar, Maqedoninë e Veriut dhe të tjera.

“Ushtrimet kanë mbuluar segmente të ndryshme – nga stërvitjet malore dhe dimërore, përmes manovrave të kombinuara në tokë dhe det, deri tek ushtrimet moderne në fushën e sigurisë kibernetike”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në të njëjtën periudhë, Ushtria malazeze ka zhvilluar aktivitete të përbashkëta edhe me vendet partnere që nuk janë anëtare të NATO-s.

“Veçojmë sidomos bashkëpunimin me Forcat e Armatosura të Austrisë në stërvitjen ‘CommonChallenge’ në Mal të Zi. Gjithashtu, pjesëtarët e Ushtrisë kanë marrë pjesë në stërvitjen ndërkombëtare ‘PlatinumWolf’ në Serbi, e cila ka konfirmuar gatishmërinë për të punuar së bashku me vendet jashtë aleancës së NATO-s”, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Pjesëtarë të Forcave Speciale të Ushtrisë së Malit të Zi në një stërvitje ushtarake në Danillovgrad, 14 qershor 2017.

Tregtia e armëve

Në tre vjetët e gjysmë të fundit, Mali i Zi ka importuar armë, municione, eksplozivë dhe pajisje për nevojat e policisë dhe ushtrisë me vlerë gati 20 milionë euro (19,873,388), dhe ka eksportuar mallra me vlerë rreth shtatë milionë e gjysmë euro (7,554,939).

Kjo u bë e ditur nga Zyra Shtetërore e Statistikave (Monstat).

Mali i Zi importoi më shumë armë dhe pajisje përkatëse nga Izraeli – rreth 10.2 milionë euro – pastaj nga Serbia për rreth 4.5 milionë euro, nga Italia për gati 1.5 milion euro dhe nga Turqia për 736 mijë euro.

Mali i Zi eksportoi më shumë armë dhe pajisje në Kongo – për 1.8 milion euro – në dy raste, më 2022 dhe 2024.

Serbisë i shiti pajisje për gati dy milionë euro, Kroacisë për gati 800 mijë, ashtu si edhe Republikës Çeke.

Në Mal të Zi janë tri kompani të regjistruara për eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake dhe policore, si dhe të agjentëve kimikë për prodhimin e raketave dhe armëve të tjera.

MAQEDONIA E VERIUT

Që nga fitimi i pavarësisë, Ministria maqedonase e Mbrojtjes ka vendosur bashkëpunim dypalësh me gjithsej 35 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë, Norvegjinë, Turqinë, Spanjën, Portugalinë, Kroacinë, Malin e Zi, vendet baltike e të tjera.

Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, pjesëtarët e Ushtrisë maqedonase kanë marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Turqinë, Rumaninë, Slloveninë, Bullgarinë, Poloninë, Hungarinë, Kanadanë, Letoninë dhe Serbinë.

Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s që nga viti 2020. Pjesëtarët e Ushtrisë së saj kanë marrë pjesë në pesë ushtrime të NATO-s, të zhvilluara jashtë vendit, gjatë vitit 2024: në Shqipëri, Gjermani, Belgjikë, Itali dhe Estoni.

Këtë vit, në Maqedoninë e Veriut është mbajtur stërvitja “Reagimi i Shpejtë 25”, në të cilën kanë marrë pjesë mbi 2.200 ushtarë – pjesëtarë të Ushtrisë maqedonase dhe forcave të armatosura të gjashtë vendeve aleate: SHBA-së, Shqipërisë, Greqisë, Italisë, Malit të Zi dhe Britanisë së Madhe, dhe dy vendeve partnere: Austrisë dhe Kosovës.

Në këtë stërvitje janë përdorur pajisje ushtarake moderne, përfshirë automjete inxhinierike dhe të blinduara, tanke, helikopterë luftarakë dhe transporti.

Ushtarë britanikë nga Brigada e 16-të Ajrore në stërvitjen ushtarake “Reagimi i Shpejtë 22” në poligonin e stërvitjes Krivollak, në Maqedoninë e Veriut, 12 maj 2022.

Nga buxheti i mbrojtjes, i cili për vitin 2025 ka arritur në mbi 329 milionë euro, mbi 106 milionë euro janë ndarë për procesin e modernizimit të ushtrisë dhe pajisjeve.

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut i tha Radios Evropa e Lirë se 32 për qind e buxhetit të mbrojtjes, ose 106 milionë euro, janë ndarë për modernizim.

Ministria vuri në dukje se me këto shifra, Maqedonia e Veriut e tejkalon standardin e NATO-s prej 20% për modernizim dhe pajisje.

Aktualisht, janë katër marrëveshje ndërqeveritare aktive: një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për prokurimin e automjeteve të lehta të blinduara JLTV dhe Stryker, me Turqinë për prokurimin e obusëve dhe sistemeve të mbështetjes me zjarr “Boran”, me Francën për prokurimin e një baterie mbrojtëse ajrore me rreze shumë të shkurtër veprimi “Mistral 3” dhe me Italinë për prokurimin e helikopterëve transportues shumëfunksionalë “LEONARDO”. /REL

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat