spot_img
E mërkurë, 8 Tetor, 2025
18:36
HomeKulturëMuzeu Arkeologjik i Vlorës, i pari i këtij lloji në Shqipëri

Muzeu Arkeologjik i Vlorës, i pari i këtij lloji në Shqipëri

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Më 8 tetor të vitit 1936, u çel Muzeu Arkeologjik i Vlorës.

I pari muze shqiptar i këtij lloji, në përputhje me kontekstin e kohës, u pagëzua me emrin e monarkut “Zogu I”. Godina e muzeut, me herët kishte shërbyer si seli e qeverisë së përkohshme të Vlorës.

- Advertisement -

Pamja e këtij muzeu është e rrënjosur përjetësisht në kujtesën kombëtare, pasi në mjediset e tij Ismail Bej Vlora mblodhi qeverinë fill pas shpalljes së Pavarësisë.

Muzeu u ngrit dhe u pasurua me objekte arkeologjike të dala nga gërmimet e kryera në Apoloni prej misionit arkeologjik francez, të prirë nga arkeologu Leon Rey. Mandej, u pasurua me artefakte nga objekte arkeologjike të zbuluara në Vlorë dhe në rrethina.

- Advertisement -

Kështu, në katin e parë u vendosën të gjitha statujat dhe kolonat e gjetura në Apoloni. Ndërsa, në katin e sipërm qëndronin në stenda prej xhami enët e qeramikës, monedhat, terrakotat dhe figurinat e ndryshme.

Me nisjen e Luftës së Dytë Botërore, muzeu u bombardua nga ushtria italiane dhe më pas u grabit. Për shkatërrimin dhe grabitjen e Muzeut Arkeologjik të Vlorës, arkeologu Rey, botoi një notë proteste në numrin e gjashtë të revistës së tij “Albania”.

Një pjesë e koleksionit antik të Muzeut të Vlorës që u arrit të shpëtohet, gjendet sot në Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Arkeologjik të Tiranës, Muzeun Historik të Vlorës, si dhe në Muzeun e Parkut Arkeologjik të Apolonisë. /atsh

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat