Ambasada e Shqipërisë në Kosovë zhvilloi mbrëmjen e dytë të ciklit kulturor “Netët e Filmit Shqiptar”, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe me mbështetjen e Kino Armata.
Në këtë mbrëmje u shfaq filmi “Koncert në vitin 1936”, i regjisorit Saimir Kumbaro. Si pjesë e programit “Netët e Filmit Shqiptar”, që vazhdon deri në muajin nëntor, në Prishtinë do të shfaqen filma të prodhuar në Shqipëri gjatë viteve ’70–’90.
Programi ka në fokus jo vetëm publikun filmdashës, por edhe nxënësit e shkollave në Kosovë, për të forcuar lidhjen me gjuhën shqipe dhe me vlerat e kulturës sonë kombëtare.
Mbrëmja e djeshme u çel me fjalën përshëndetëse të ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili theksoi rëndësinë e kësaj nisme në promovimin e trashëgimisë sonë kinematografike dhe në forcimin e lidhjeve kulturore ndërmjet dy vendeve.
Aktiviteti u ndoq nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës, trupit diplomatik dhe dashamirës të artit e kulturës.
Filmi “Koncert Në Vitin 1936” u shfaq në versionin e tij të restauruar, i titruar në gjuhën angleze.