Në fondin e Arteve Bashkëkohore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” ruhet një nga veprat më të rëndësishme të kritikës së artit italian të shekullit XX: libri “Pittura italiana moderna: idea per una storia” i Umberto Apollonio, botuar në vitin 1950 nga shtëpia botuese Neri Pozza në Venecia.
Ky botim konsiderohet një tekst themelor për studimin e pikturës italiane moderne, pasi autori – kritik dhe historian i njohur i artit – trajton në mënyrë analitike zhvillimet estetike, rrymat kryesore dhe artistët që formësuan identitetin e artit modern në Itali gjatë dekadave të para të shekullit XX.
Vepra shoqërohet me ilustrime të shumta të veprave përfaqësuese, duke e kthyer librin jo vetëm në një studim teorik, por edhe në një dokument vizual të rëndësishëm për artdashësit dhe studiuesit.
Ky titull i rrallë, tashmë pjesë e fondit të veçantë të Bibliotekës Kombëtare, dëshmon për pasurinë e trashëgimisë që institucioni ruan dhe vlerëson në funksion të kërkimit shkencor dhe të studimit të arteve bashkëkohore.



