Bahamas e ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Lajmi është bërë i ditur përmes një deklarate publike nga presidentja Vjosa Osmani, ndërsa më pas është konfirmuar edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një statusi në Facebook.
Kurti ka deklaruar se viti 2024 ishte “viti i pasaportës”, ndërsa viti 2025, sipas tij, është “viti i njohjeve të reja”, duke theksuar se Bahamas është njohja e katërt për këtë vit dhe e 121-ta në total për Kosovën.
“Në vitin 2025 po i shtohen Kosovës njohjet pas një kohe të gjatë. Bahamas bëhet shteti i katërt sivjet dhe i 121-ti që e njeh Republikën tonë si shtet të pavarur dhe sovran,” ka shkruar Kurti.
Në reagimin e tij, kryeministri në detyrë ka shprehur mirënjohje të veçantë për presidenten Vjosa Osmani, si dhe për zyrtarët shtetërorë dhe partnerët ndërkombëtarë, duke e cilësuar njohjen si një arritje në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ky është një nga rastet e rralla ku Kurti publikisht thekson kontributin e institucioneve të tjera, e jo vetëm të qeverisë së tij.
Ai ka shtuar se njohja nga Bahamas hap rrugë për miqësi të reja dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke shprehur pritjen që kjo njohje të shndërrohet në partneritet të sinqertë mes dy shteteve dhe popujve.
Njohja vjen në një moment kur Kurti po vazhdon aktivitetet e tij politike në terren, përfshirë vizita në qytete të ndryshme të Kosovës, në kuadër të zhvillimeve të fundit politike dhe fushatës elektorale.



