Në konferencën vjetore të Doganës së Kosovës, ku ishte i pranishëm edhe ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, drejtori i Doganave, Agron Llugaliu, ka folur për situatën e rrugëve ilegale në veri dhe rolin e tyre në kontrabandë dhe forma të tjera të kriminalitetit.
Llugaliu deklaroi se veriu “ka qenë një problem i pazgjidhur” për një kohë të gjatë, duke u përdorur si “strehë jo vetëm e kontrabandës, por edhe e krimit”. Sipas tij, nga rastet hetimore të zhvilluara është parë se kjo zonë është shfrytëzuar edhe për trafikim të qenieve njerëzore.
“Pjesa e veriut ka qenë një problem i pazgjidhur… është përdorur si strehë jo vetëm nga kontrabanda, por edhe format e tjera të krimit. Kemi pasur raste hetimi për kontrabandë dhe kemi gjetur që ajo pjesë është përdorur edhe për trafikim të qenieve njerëzore,” u shpreh Llugaliu.
Ai theksoi se këto forma të kriminalitetit, sipas vlerësimit të Doganës, kanë pasur “shkallë më të lartë sigurie” në atë pjesë të vendit dhe kanë ndikuar edhe në të hyrat.
Konferenca u shoqërua me prezantime institucionale mbi punën vjetore të Doganës dhe sfidat në luftimin e kontrabandës, me fokus të veçantë në veriun e vendit dhe rrugët ilegale që, sipas Doganës, janë përdorur për aktivitet të jashtëligjshëm.



