Politologu Albinot Maloku ka vlerësuar se shpërndarja e shtesave prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët, e vendosur vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, nuk pritet të ketë ndikim të madh në orientimin e votës së qytetarëve.
Duke komentuar vendimin e qeverisë në detyrë, Maloku tha se ndihmat ad-hoc me karakter social mund të jenë të mirëpritura në kushtet e vështirësive financiare, por mbeten veprime kontradiktore me qëndrimet e mëhershme politike të atyre që sot i ndërmarrin.
Sipas tij, ekziston pritja që masa të tilla të ndikojnë te votuesit, megjithatë ai shprehu skepticizëm se kjo do të përkthehet në ndryshim real të bindjeve politike, duke theksuar se qytetarët tashmë i kanë formuar qëndrimet e tyre.
“Unë kam një respekt më të madh për qytetarin, duke besuar që ky veprim ad-hoc i ndihmës sociale nuk do të ketë ndikim aq të madh në bindjet e tyre politike”, ka deklaruar Maloku.
Kujtojmë se katër ditë para zgjedhjeve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se qeveria ka vendosur për shtesat e fundvitit prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët, duke paralajmëruar se mjetet do të procedohen para natës së Vitit të Ri.



