Këngëtarja amerikane Beyonce është tani miliardere, duke u bërë muzikantja e pestë që arrin një sukses të tillë, shkruan revista Forbes
44-vjeçarja i bashkohet një klubi të zgjedhur që përfshin bashkëshortin e saj, reperin Jay-Z, si dhe Taylor Swift, Bruce Springsteen dhe Rihanna.
Beyonce arriti këtë pikë referimi pas disa vitesh shumë fitimprurëse.
Në vitin 2023, nga turneu i saj botëror “Renaissance” fitoi gati 600 milionë dollarë.
Më pas ajo e rikrijoi profilin e saj muzikor në vitin 2024 me albumin country, fitues të çmimit Grammy, “Cowboy Carter”, përpara se të organizonte turneun me fitimet më të larta në botë të vitit 2025.
Duke i kombinuar këto të ardhura me ato nga katalogu i saj muzikor dhe marrëveshje të tjera, Forbes vlerësoi se Beyonce fitoi 148 milionë dollarë në vitin 2025 para taksave, duke e bërë atë muzikanten e tretë më të paguar në botë.
Revista nuk dha një vlerësim më specifik të pasurisë neto të ish-anëtares së Destiny’s Child, e cila themeloi Parkwood Entertainment për të menaxhuar karrierën dhe prodhimet e saj.
Forbes tha se ndërsa Beyonce e ka zgjeruar perandorinë e saj të biznesit me sipërmarrje të tilla si një markë për kujdesin e flokëve, një etiketë uiski dhe një linjë veshjesh, pjesa më e madhe e pasurisë së saj personale rrjedh nga muzika e saj, së bashku me turnetë e saj globale dhe kontrollin e të drejtave për katalogun e saj të mëparshëm.



