Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon numërimi i votave me kusht nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit që lamë pas.
Nga mbrëmë në ora 20:00 kur nisi ky proces numërimi, deri tash janë numëruar mbi 31 për qind të këtyre votave me kusht, apo 18 nga 57 vendvotime sa ka pasur në nivel vendi.
Me përqindje në këto vota kryeson lëvizja Vetëvendosje, e cila parti deri tash ka marrë rreth 50 për qind të këtyre votave sipas tabelës së përditësuar nga KQZ-ja. Ndërkohë edhe në këto vota dy kandidatët më të votuar janë Albin Kurti e Glauk Konjufca, kryetari e nënkryetari i LVV-së, pasuar nga Bedri Hamza i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së e Ramush Haradinaj i AAK-së.
Aktualisht, sipas rezultateve të përmbledhura në faqen e KQZ-së, del se LVV-ja ka 50, 67 për qind të votave, PDK-ja, 20, 43 për qind, LDK-ja, 13, 33 për qind e AAK-ja 5, 53 për qind.
Pas numërimin të votave me kusht, në QNR pritet të fillojë numërimi nga procesi i votimit të personave me nevoja të veçanta.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se bazuar në të dhënat preliminare nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860.
Elezi ka bërë të ditur se në QNR është duke u bërë vlerësimi dhe verifikimi i pakove me fletëvotime nga tërheqjet e realizuara më 2 janar nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, nga ku janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, të cilat tha se gjatë ditës së sotme anë sjellë në Kosovë.
“Pas vlerësimit dhe verifikimit, KQZ do të numërojë fletëvotimet e aprovuara. Gjithashtu, KQZ ka përmbyllur procesin e tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës. Më 5 janar, nga 13 kutitë postare, në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Lubjanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako me fletëvotime, të cilat, pasi të arrijnë në Kosovë do t’i nënshtrohen procedurave të njëjta, para numërimit”, ka thënë Elezi.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i përfundimit të numërimit të votave do të bëhet më shpejtë sesa që ishte planifikuar dhe shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet para datës 19 janar, datë kjo e planifikuar më herët nga KQZ-ja.



