Presidenti Volodymyr Zelensky ka reaguar pas sulmeve ruse gjatë natës dhe ndërprerjeve në infrastrukturën energjetike të Ukrainës.
“Nuk ka absolutisht asnjë arsyetim ushtarak në sulme të tilla në sektorin e energjisë dhe infrastrukturën që i lënë njerëzit pa energji elektrike dhe ngrohje në dimër. Kjo është lufta e Rusisë konkretisht kundër popullit tonë, kundër jetës në Ukrainë – një përpjekje për ta shkatërruar Ukrainën. Kjo është arsyeja pse mbështetja për qëndrueshmërinë tonë dhe të gjitha format e ndihmës për shtetin tonë duhet të funksionojnë me kapacitet të plotë”, tha ai në një postim në X.
Zelenskyy shtoi se “diskutimet diplomatike nuk mund të jenë pretekst për ngadalësimin e furnizimit me sisteme dhe pajisje të mbrojtjes ajrore që ndihmojnë në mbrojtjen e jetëve”.
“Ne po punojmë me partnerët tanë për të siguruar një përgjigje adekuate.”
Ai theksoi gjithashtu se ekipet e riparimit po punojnë për rivendosjen e shërbimeve në të gjitha rajonet e prekura, me “të gjitha burimet, pajisjet dhe shërbimet e nevojshme … të vendosura për të adresuar situatën”.
Nga sulmet më shumë se një milion njerëz mbetën pa ujë dhe ngrohje në rajonin e Dnipropetrovskit të Ukrainës.
Forcat ajrore ukrainase thanë se Rusia sulmoi me 97 dronë gjatë natës, ku 70 prej tyre u rrëzuan nga sistemi i mbrojtjes ajrore, por 27 prej tyre goditën vende të ndryshme, pa dhënë detaje, raportoi AFP.
Nga ana tjetër, ministria ruse e mbrojtjesu ka thënë agjencive ruse të lajmeve, se sulmet e natës kishin në shënjestër objektet energjetike dhe infrastrukturën portuale të përdorur nga ushtria ukrainase.



