Shkrimtari Hysen Beqa ka botuar veprën e tij më të re, “Mullahët në sallën e koncerteve”, e cila, sipas përshkrimit në kopertinën e pasme, vjen si një rrëfim provokues dhe i guximshëm, me kritikë të thellë ndaj mënyrës se si dogma fetare – kur shndërrohet në instrument pushteti – cenon lirinë individuale, rendin demokratik dhe vetë qenien kulturore të shoqërisë së Kosovës pas luftës.
Autori ndërton një narrativë simbolike, ku feja, politika dhe frika bashkëveprojnë në një hapësirë publike të uzurpuar: salla e koncerteve, nga vend arti i lirë, shndërrohet në një skenë ideologjike. Në qendër të rrëfimit vendoset figura alegorike “Mullah X”, e paraqitur si autoritet dogmatik, karizmatik dhe manipulues, përmes së cilës shpalosen mekanizma të indoktrinimit, shfrytëzimit të frikës dhe deformimit të historisë.
Teksti thekson se vepra nuk e sulmon besimin si përvojë personale shpirtërore, por e ndan qartë besimin e lirë nga feja e instrumentalizuar. Narracioni lëviz mes realizmit social dhe alegorisë filozofike, me pasazhe metafizike ku vihet në pikëpyetje edhe vetë koncepti i Zotit, duke e zhvendosur librin përtej një romani thjesht politik apo social – drejt një reflektimi ekzistencial mbi besimin, lirinë dhe përgjegjësinë morale të individit.
Sipas kopertinës, “Mullahët në sallën e koncerteve” nuk kërkon lexim të lehtë: kërkon guxim për ta lexuar dhe ndershmëri për ta kuptuar. Vepra përshkruhet si thirrje kundër heshtjes dhe paralajmërim ndaj normalizimit të fanatizmit, duke synuar të hapë debat dhe të mbetet gjatë në mendjen e lexuesit.
Beqa është autor edhe i dy librave të tjerë, “Missiri i vogël” dhe “Shkrimtari”, të cilët janë përkthyer në disa gjuhë nga shtëpi botuese vendore dhe ndërkombëtare. Libri i ri vjen në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Armagedon”.



