Më 20 janar 2010 u nda nga jeta Pashk Gjeçi, një nga përkthyesit më të mëdhenj që ka njohur gjuha shqipe. Emri i tij lidhet ngushtë me shqipërimin e kryeveprave botërore, veçanërisht me “Komedinë Hyjnore” të Dantes, një arritje e jashtëzakonshme në letërsinë shqipe.
I lindur në Shkodër më 7 shtator 1918, Gjeçi u formua në shkollat jezuite, ku mësoi italishten, latinishten dhe greqishten e vjetër.
Që në moshë të re nisi përkthimet, duke sjellë në shqip poezitë e poetit italian Xhakomo Leopardi, ndërsa studimet i vazhdoi në Romë, ku u diplomua Doktor në Letërsi më 1942.
Pas kthimit në Shqipëri, u burgos nga regjimi komunist dhe më pas u internua në Fushë-Krujë.
Pikërisht aty iu përkushtua përkthimit të “Komedisë Hyjnore”, pjesa e parë e së cilës, “Ferri”, u botua në vitin 1960. Edhe pse pa jehonë të madhe në atë kohë, vepra u vlerësua si një shqipërim i pakrahasueshëm.
Më pas, Gjeçi përktheu “Odisenë” e Homerit, si dhe kryevepra të tjera si “Fausti” i Gëtes dhe “Hamleti” i Shekspirit, duke lënë një trashëgimi të pazëvendësueshme për kulturën dhe letërsinë shqiptare.



