Presidenti Xi Jinping ka arritur kontroll të plotë mbi forcat e armatosura kineze, pasi largoi një nga gjeneralët më të lartë të vendit për shkelje të dyshuara të “disiplinës dhe ligjit”.
Zhang Youxia është figura më e fundit e rangut të lartë që bie pre e spastrimit afatgjatë të Xi Jinpingut ndaj drejtuesve ushtarakë.
Ky veprim ka shtuar pasigurinë mbi një pushtim të mundshëm të Tajvanit, mes dyshimeve nëse Xi do të ishte në gjendje ta realizonte një operacion të tillë “pa udhëheqës të lartë në krye”.
Gjenerali Zhang, udhëheqësi operacional i Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA), kishte mbijetuar disa raunde pastrimesh dhe konsiderohej i paprekshëm për shkak të miqësisë së tij të hershme me presidentin.
75-vjeçari, anëtar i Byrosë Politike, ishte gjithashtu një nga komandantët e paktë kinezë me përvojë reale luftarake, pasi kishte marrë pjesë në luftën kundër Vietnamit në vitin 1979.
Largimi i tij është pjesë e një fushate të gjerë antikorrupsion, e cila ka ndëshkuar mbi 200 mijë zyrtarë që nga ardhja e Xi Jinpingut në pushtet në vitin 2012.
Një tjetër anëtar i Komisionit Qendror Ushtarak, Liu Zhenli, është vënë gjithashtu nën hetim, sipas një deklarate të Ministrisë kineze të Mbrojtjes. Ai është shefi i shtabit të Departamentit të Përbashkët të Shtabit, ndërsa detaje mbi shkeljet e dyshuara nuk janë bërë publike.
Ekspertët thonë se largimi i gjeneralit Zhang ka gjasa të shtyjë çdo përpjekje për pushtimin e Tajvanit, pasi ai shihej si figurë kyçe në modernizimin e forcave të armatosura kineze.
Lyle Morris, studiues i lartë në Asia Society Policy Institute në Uashington, e krahasoi veprimin e Xi-t me “një pastrim total të shtëpisë – spastrimin më të madh në historinë kineze që nga viti 1949”.
Sipas tij, Ushtria Çlirimtare Popullore mund të mbetet në një gjendje “çorganizimi”.
“Ne mund të flemë të qetë për vite me radhë,” tha Morris.
“Nuk ka asnjë mundësi që Kina të realizojë skenarin e Tajvanit pa udhëheqës të lartë në krye.”
Më herët, Partia Komuniste kishte përjashtuar edhe zëvendëskryetarin tjetër të Komisionit Qendror Ushtarak, He Weidong, ndërsa në vitin 2024 u përjashtuan dy ish-ministra të Mbrojtjes për korrupsion.
Komisioni Qendror Ushtarak është tashmë në përmasën më të vogël historike, me vetëm dy anëtarë: vetë Xi Jinping dhe Zhang Shengmin, mbikëqyrësi i fushatës antikorrupsion në ushtri.
Sipas burimeve të South China Morning Post, gjenerali Zhang dyshohet për korrupsion, përfshirë dështimin për të kontrolluar aktivitetet e familjarëve të tij.
Ndërkohë, ish-analisti i CIA-s, Christopher K. Johnson, tha se Kina është e aftë të prodhojë armë të avancuara teknologjikisht, por i mungon “softueri” – përvoja dhe struktura komanduese – për operacione të mëdha ushtarake.
Megjithatë, Morris thekson se këto largime tregojnë se Xi Jinping gëzon mbështetje të fortë brenda Partisë dhe ka kontroll të plotë.



