Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa njofton se ka aprovuar ankesën e Listës Serbe e cila e kishte deponuar në këtë institucion kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ky institucion thotë se nuk pajtohet me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mos shpalljen e rezultatit përfundimtar për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura me 28 dhjetor 2025, për subjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e saj.
Paneli vlerëson se një qëndrim i tillë nuk mund të pranohet si i drejtë dhe i ligjshëm, pasi është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
PZAP-ja e ka vlerësuar vendimin si të pajustifikuar dhe në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore.
Madje, PZAP-ja thotë se KQZ nuk ka ofruar asnjë arsyetim ligjor për refuzimin e shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për subjektin politik Lista Serbe e kandidatët e saj.
“Vendimi është i mangët, jo i plotë dhe nuk i ka trajtuar çështjet thelbësore, as faktet vendimtare që lidhen me vlerësimin e kushteve ligjore për shpalljen e rezultati përfundimtar”.
Tutje, në këtë vendim thuhet se “PZAP-i, ka vendosur të aprovojë ankesën e subjektit politik Lista Serbe, duke shpallur rezultatin përfundimtar për këtë subjekt politik dhe kandidatët e saj. Në këtë mënyrë, vendimi në fjalë siguron respektimin e procedurave ligjore dhe garanton zhvillimin e një procesi të drejtë dhe të barabartë për subjektin politik që ka përmbushur të gjitha kushtet e parapara me ligj”, thotë PZAP-ja.
“Paneli, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës si dhe arsyetimit të KQZ-së të përmbajtur në vendimin e ankimuar të datës 31.01.2026, me numër protokolli Nr.01/156/2026, vlerëson se një qëndrim i tillë nuk mund të pranohet si i drejtë dhe i ligjshëm, pasi është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme LZP, nenin 101 paragrafi 16, nenin 106 paragrafi 3, nenin 111 të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, si dhe nenit 9 paragrafi 2 të Rregullores Zgjedhore Nr.13/2024 Rezultatet Zgjedhore”.
Tutje, ky institucion vlerëson se çdo shpallje e pjesshme e rezultatit përfundimtar, në rrethana të tilla, nuk ka bazë ligjore dhe bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor.
Prandaj, sipas tyre, vendimi i KQZ-së është ne kundërshtim me praktikat e mira zgjedhore dhe po ashtu ne kundërshtim me standardet e Komisionit te Venecias.
Ndërkohë, PZAP ka refuzuar gjashtë ankesa të tjera që ishin deponuar dje në këtë institucion, dy të kandidatit për deputet, Bekim Haxhiu, një nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, një nga koalicioni PAI–PDAK–LPB dhe dy të tjera nga NDS-ja.
Ndaj këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme në afat prej 48 orësh.



