Një studim për librat e Bajram Kosumit – Merxhan Avdyli, Lartësime letrare / libër mbi librat e Bajram Kosumit, Embeta, 2025, fq. 231.
Kritiku dhe poeti Merxhan Avdyli, profesor emeritus, nxori nga shtypi librin e tij të fundit me titull “Lartësime letrare / libër mbi librat e Bajram Kosumit”.
Libri ka një qasje monografike, si për metodologjinë shkencore ashtu edhe për trajtimin e veprës së një autori në tërësinë e saj. Aty janë shtatë artikuj për librat e Kosumit, në të cilët autori depërton në thellësitë e tekstit të Kosumit, atij letrar e joletrar, analizon, interpreton dhe vlerëson në shumë aspekte, si: ligjërimin, tematikën, motivet, personazhet, idetë poetike dhe politike etj.
Librat e Kosumit që trajton autori në këtë monografi janë: Enciklopedia imagjinare / postroman, Fjalor i Barbarëve, Letërsia nga burgu / kapitull i veçantë në letërsinë shqipe, Lirika e Fishtës, Revolucioni 1981 dhe Koncept për mendimin e ri politik. Një kapitull i librit përbëhet prej një interviste të gjatë të autorit me Kosumin, me fokus ekskluzivisht në çështje të letërsisë, e realizuar në qershor të vitit 2025. Në intervistë autori “thotë duke pyetur” ndërsa Kosumi “thotë duke u përgjigju”, dhe biseda është mjaft intriguese dhe e këndshme për secilin dashamir të letërsisë dhe të arteve në përgjithësi.
Aty diskutohet për pikëpamjet për artin e letërsinë, si në çështjet teorike, ashtu edhe ato praktike e individuale të letërsisë, për vetë procesin e krijimit dhe për ide të ndryshme letrare, duke rimarrë vepra e autorë të letërsisë shqipe e botërore.
Kapitulli i fundit përmban një përzgjedhje të thënieve të studiuesve dhe autorëve të tjerë për veprën e Kosumit, si: Sabri Hamiti, Agim Vinca, Xhovalin Shkurtaj, Ismajl Syla, Salajdin Salihu, Erenestina Gjergji, Marisa Kerbizi, Ethem Ceku, Bujar Dugolli, Milazim Krasniqi, Behar Gjoka, Flamur Maloku, Kadri Kryeziu, Meti Rexhepi, Myrvete Dreshaj Baliu, Lili Sula, Faton Ismajli, Imer Lladrovci, Bedri Halimi, Bashkim Musliu, Donjeta Kryeziu etj.
Po ashtu, libri përmban edhe një bibliografi precize të veprave të Kosumit. Libri është i shkruar me një ligjërim të këndshëm akademik dhe është me interes si për studiuesit e letërsisë ashtu edhe për lexuesit e veprave të Kosumit. /KultPlus



