PEJË/DEÇAN – Harta e hetimeve për vjedhjen e votave të 28 dhjetorit po plotësohet me shpejtësi. Burime të sigurta për storm• konfirmojnë se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka zbarkuar tashmë edhe në rajonin e Dukagjinit, duke nisur një valë intervistimesh për zyrtarët zgjedhorë në Pejë, Deçan, Istog e Junik.
Pas sukseseve të fundit në rajonet e tjera, hetuesit po kërkojnë gjurmët e “Falsifikimit të Rezultateve të Votimit” edhe në këtë pjesë të Kosovës. Dyshimet kryesore lidhen me tjetërsimin e votave preferenciale brenda listave të partive të caktuara, ku raportohet për mospërputhje të rënda mes fletëvotimeve fizike dhe të dhënave të futura në sistem.
“Dukagjini nuk është kursyer nga skemat e manipulimit. Skuadrat tona janë në terren dhe po marrin në pyetje zyrtarët që kishin përgjegjësi direkte mbi kutitë e votimit,” ka thënë një burim brenda Policisë. Ky zhvillim tregon se hetimet nuk po lënë asnjë cep të Kosovës pa “krehur”, duke e kthyer këtë në operacionin më të madh antitrafik të votës në historinë e vendit.



