Sot, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, vazhdon gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë, ku pritet dëshmia e dëshmitarit të ZPS-së, Koen Herlaar.
Në vazhdën e gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë, të martën iu përgjigj pyetjeve dëshmitari i dytë i prokurorisë, eksperti i kriminalistikës nga Instituti i Kriminalistikës së Holandës.
Ai u pyet për analizimin e disa dokumenteve të printuara që u përdorën si prova nga prokuroria.
Pas prokurorisë, dëshmitari, dje u mor në pyetje nga mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve lidhur me dokumentet e analizuara të marra nga të akuzuarit, ndërsa seanca në pjesën më të madhe të kohës ka qenë e mbyllur për publikun.
Në çështjen gjyqesore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuit të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, të martën u mor vendim që për katër të fundit të ndryshohen kushtet e lirimit me kusht.
Të akuzuarëve iu lejua që brenda hapësirave të DhSK-së t’iu lejohet të kenë komunikim mes vete dhe të diskutojnë për çështjen, por duke pasur parasysh që çështje konfidenciale nuk duhet të diskutohen në hapësira publike.
Gjykimi pritet të vazhdojë edhe sot me dëshminë e dëshmitarit Koen Herlaar.
Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 6 dhjetor 2024.
Hashim Thaçi iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçi iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.



