Sezoni i katërt i Bridgerton është rikthyer në vendin e parë të renditjes javore të Netflix Top 10, pasi platforma publikoi katër episodet e fundit. Seriali arriti 28 milionë shikime gjatë periudhës 23 shkurt – 1 mars.
Meqë “Bridgerton” u publikua në dy pjesë, Netflix llogarit të gjitha shikimet e sezonit si një total të vetëm, prandaj nuk ka një shifër të veçantë vetëm për Pjesën 2. Totali prej 28 milionë shikimesh përfaqëson numrin e orëve të shikuara për të gjithë sezonin gjatë javës së raportuar, të ndara me kohëzgjatjen totale të sezonit.
Krahasuar me publikime të tjera të ndara në pjesë, si Stranger Things, performanca e “Bridgerton” konsiderohet e fortë. Sezoni i pestë i “Stranger Things”, aktualisht seriali i katërt më i ndjekur në gjuhën angleze në historinë e Netflix, debutoi me 59.6 milionë shikime, ndërsa me publikimin e pjesës së dytë ra në 34.5 milionë, një rënie prej 42 për qind. Në rastin e “Bridgerton”, sezoni i katërt debutoi me 39.7 milionë shikime dhe ra vetëm me 29 për qind pas publikimit të pjesës së dytë.
Në vendin e dytë për këtë javë u rendit sezoni i tretë i The Night Agent me 9.9 milionë shikime në javën e dytë të transmetimit. Ndërkohë, shikuesit rikthyen interesin edhe për sezonet e mëhershme të serialit: sezoni i parë u rendit i pesti me 2.9 milionë shikime, ndërsa sezoni i dytë në vendin e tetë me 2.7 milionë.
Dokuseriali Reality Check: Inside America’s Next Top Model u pozicionua i treti në listën e serialeve në gjuhën angleze me 3.8 milionë shikime, ndërsa Love Is Blind: Ohio zuri vendin e katërt me 3.1 milionë.
Më poshtë në renditje u përfshinë edhe sezoni i katërt i The Lincoln Lawyer, edicioni i 23 shkurtit i Raw për vitin 2026, sezoni i tetë i Formula 1: Drive to Survive si dhe Being Gordon Ramsey.
Lista përfshin renditjen e serialeve dhe filmave në gjuhën angleze dhe jo-angleze për periudhën 23 shkurt – 1 mars. /KultPlus



