Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, risolli sot në vëmendje, gjatë podkastit “Flasim”, publikimin e librit të tij “Në Sofrën e Hënës”, një përmbledhje e fjalëve dhe reflektimeve të tij gjatë mbrëmjeve tradicionale të iftarit të organizuara ndër vite.
Kryeministri theksoi se, pas një sërë “presionesh” nga miq, besimtarë dhe praktikantë të islamit, vendosi të përmbledhë reflektimet e tij nga zinxhiri i iftareve të shtruara në funksionin e kryeministrit.
Rama tha se së bashku me botuesen Arlinda Dudaj përgatitën librin, i cili ishte gati për Panairin e Librit, por ai nuk dëshironte që vepra të prezantohej në atë aktivitet për të mos krijuar, sipas tij, hije mbi autorët e tjerë për shkak të emrit dhe pozicionit të tij publik.
“Libri titullohet ‘Në Sofrën e Hënës’. Është, si të thuash, përmbledhja e një përvoje që kam pasur fatin ta përjetoj për shkak të funksionit, pasi vit pas viti kam shtruar iftarin e kryeministrit së bashku me Lindën. Në këtë proces kam kuptuar dhe shijuar faktin se sofra e iftarit nuk është thjesht momenti i atyre që agjërojnë, por edhe një moment i bukur takimi rreth tryezës për njerëz që mund të vijnë nga rrugë dhe botëkuptime të ndryshme”, u shpreh Rama, raporton atsh.
Ai shtoi se përvoja e iftareve e ka ndihmuar të njohë më nga afër traditën dhe kulturën islame, si dhe historinë e Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Vepra sjell në vëmendje dimensionin kulturor, social dhe shpirtëror të tryezës së iftarit, si një hapësirë që bashkon njerëz nga besime dhe përvoja të ndryshme, përtej dallimeve që mund t’i ndajnë në jetën e përditshme.
Libri shoqërohet me pasthënie të profesorit të Universitetit të Tübingenit, Besnik Sinani, si dhe me parathënie të ministrit të Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan.



