spot_img
E hënë, 9 Mars, 2026
19:47
HomeKulturëRama në ceremoninë e “Doctor Honoris Causa” për Nicolas dhe Olivier Berggruen...

Rama në ceremoninë e “Doctor Honoris Causa” për Nicolas dhe Olivier Berggruen në Universitetin e Durrësit

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Universiteti “Universiteti Aleksandër Moisiu” në Durrës zhvilloi ceremoninë solemne të dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për filantropët dhe mendimtarët me rrënjë shqiptare, vëllezërit Nicolas Berggruen dhe Olivier Berggruen, nipër të aktorit të madh të teatrit evropian Aleksandër Moisiu, emrin e të cilit mban universiteti.

Në ceremoninë e zhvilluar në Durrës morën pjesë përfaqësues të komunitetit akademik, autoritete vendore dhe studentë.

- Advertisement -

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij vlerësoi figurën e Aleksandër Moisiut si një ikonë të teatrit evropian që arriti të kapërcejë kufijtë e origjinës pa e braktisur atë, duke mbetur i lidhur me vendin e tij.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se ishte i nderuar të merrte pjesë në këtë ceremoni që, sipas tij, feston trashëgiminë e një figure të jashtëzakonshme.

- Advertisement -

“Ndjehem vërtet i nderuar që jam këtu, jo thjesht sepse duhet t’i them këto fjalë, por sepse kemi ardhur për të festuar trashëgiminë e një personi shumë të veçantë, shumë special”, tha ai.

Kryeministri ndau edhe një kujtim nga fëmijëria e tij, duke e lidhur me historinë e familjes Berggruen. Ai tregoi se kishte lexuar një rrëfim të Olivier Berggruen, sipas të cilit ai dhe vëllai i tij nuk lejoheshin të vizitonin galerinë e babait të tyre kur ishin fëmijë, pasi ai besonte se galeria nuk ishte vend lojërash për fëmijë.

“Fëmijëria ime në një farë mënyre ka qenë shumë e ngjashme, sepse babai im besonte se atelieri i tij nuk ishte një vend lojërash për fëmijët,” u shpreh Rama.

Ai tregoi se e kishte pasur të rrallë mundësinë të hynte në studion e të atit dhe se një nga ato momente i kishte mbetur i gdhendur në kujtesë.

“Pikërisht në një nga këto raste, kur unë kam qenë vërtet fëmijë shumë i vogël, u përballa për herë të parë me fytyrën e gjyshit tuaj të madh, Aleksandër Moisiut”, tha Rama.

Sipas tij, ajo që pa ishte një skulpturë prej balte që po punohej nga i ati me shumë përkushtim për të kapur personalitetin e aktorit të madh, i cili kishte lindur në Shqipëri dhe kishte arritur kulmin e famës në Vjenë.

“Isha shumë i vogël për të mbajtur mend shumë gjëra, por mund të them se ai moment më tronditi, më preku, madje edhe më frikësoi dhe njëkohësisht më mrekulloi”, tha Rama, duke shtuar se fytyra e Moisiut ishte një nga portretet që babai i tij e kishte punuar më shpesh në materiale të ndryshme si baltë, bronz, dru dhe mermer.

Ai e përshkroi fytyrën e aktorit si “një fytyrë shumë ekspresive”, që kishte frymëzuar vazhdimisht krijimtarinë artistike të të atit.

Rama vlerësoi se ai u bë ikonë europiane e teatrit, duke mbetur i lidhur me vendin prej nga vinte.

“Më pas erdhi zëri i tij, një zë i mrekullueshëm. Dhe ky ishte për ne, Aleksandër Moisiu, statuja, fytyra, zëri, por më shumë sesa aq, ai ishte edhe përfaqësuesi më i mrekullueshëm dhe mbresëlënës i një njeriu që e tejkaloi origjinën e tij, por pa e braktisur atë”, shtoi Rama.

Duke u ndalur te ceremonia e sotme, Rama vlerësoi se “është shumë domethënëse që ajo lidh breza të tërë me anën e një filli të padukshëm, por të fuqishëm”.

“Një gjysh që u bë një nga aktorët më të mëdhenj të Evropës, dy nipër të cilët në fusha të ndryshme vazhdojnë të eksplorojnë pikëpyetjet më të thella të krijimtarisë dhe të përgjegjësisë njerëzore dhe një universitet i cili mban emrin e gjyshit të tyre, atij gjyshi, pra, ndërsa formëson mendjet e brezave të ardhshëm dhe përqafon dy nipërit e tij”, shtoi Rama.

Titulli “Doctor Honoris Causa” iu akordua Nicolas Berggruen, në shenjë mirënjohjeje për kontributet e tij të jashtëzakonshme ndërkombëtare, për mendimin filozofik, politik dhe shoqëror, si edhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm në promovimin e dialogut global, udhëheqjes etike dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Kryeministri vlerësoi se përmes Institutit Berggruen, të cilin ai e ka themeluar dhe e drejton, Nicolas ka krijuar një forum të gjallë idesh me qendra nga Los Angeles dhe Pekini, apo Venecia.

“Ai ka bërë bashkë disa nga mendjet më me ndikim të kohës sonë për të reflektuar mbi transformimet e thella që po formësojnë gjendjen njerëzore, si ato sfida me të cilat ne përballemi, ndryshimin klimatik, revolucione teknologjike apo edhe kriza e qeverisjes demokratike”, shtoi Rama.

Gjithashtu, titulli “Doctor Honoris Causa” iu akordua edhe Olivier Berggruen në njohje të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në fushën e artit, e historisë së artit, e rolit të tij në lidhjen e trashëgimisë së artit klasik me frymën e botës bashkëkohore.

“Një historian në art i arsimuar në Paris dhe në Londër, Olivieri, ia ka kushtuar jetën e tij studimit dhe kurimit të revolucioneve artistike që formësuan modernitetin nga Pablo Picaso tek Francis Bacon, përmes ekspozitave, shkrimeve të tij, punës së tij si kurator në institucione të mëdha nga Frankfurti në Romë, nga Parisi në Uashington e të tjerë, Oliveri ka eksploruar se si artistët në fillim të shekullit të XX arritën diçka të jashtëzakonshme”, vlerësoi kryeministri Rama. /atsh

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat