Në mes të krizës globale të shkaktuar nga lufta në Iran, Vladimir Putin i ka ofruar Bashkimit Europian një rikthim te hidrokarburet ruse, duke kërkuar fundin e sanksioneve politike.
Lufta e SHBA-së me Iranin ka përmbysur balancat globale, duke çuar çmimin e naftës Brent në 119 dollarë për fuçi. Kjo situatë i ka dhënë mundësi Vladimir Putinit të bëjë lëvizje diplomatike, duke ofruar furnizime masive për vendet europiane që po përballen me një kolaps të mundshëm energjetik.
Gjatë një mbledhjeje televizive, Putin deklaroi se Rusia nuk ka refuzuar kurrë punën me kompanitë europiane. Megjithatë, ndihma vjen me një kusht të prerë: bashkëpunimi duhet të jetë afatgjatë dhe krejtësisht i zhveshur nga “konsideratat politike” apo presionet e jashtme nga aleatët transatlantikë.
Aktualisht, varësia e BE-së nga gazi rus ka rënë nga 45% në vetëm 12%, ndërsa nafta në 2%. Vetëm Hungaria dhe Sllovakia vazhdojnë importet. Putin synon të shfrytëzojë tronditjen e tregut për të rikthyer Europën në orbitën e varësisë ruse, duke anuluar planet e projektit REPowerEU.
BE-ja ka miratuar politika për të ndaluar totalisht importet ruse deri në vitin 2027. Por, humbja e prodhimit në Lindjen e Mesme mund t’i detyrojë liderët europianë të rishikojnë planet. Analistët paralajmërojnë se pa naftën iraniane apo ruse, Europa rrezikon të jetë humbësja e madhe e këtij konflikti.
Ndërsa nafta po fluturon drejt majave, Rusia po përfiton direkt nga lufta amerikane kundër Iranit. Putin po pret “sinjale” nga Brukseli për të rinisur furnizimet, duke e vënë Europën përballë një zgjedhjeje të pamundur: qëndrimit te sanksionet ose shpëtimit të ekonomisë përmes Kremlinit.



