spot_img
E hënë, 16 Mars, 2026
21:35
HomeKosovaDrejtësiaApeli e kthen për herë të dytë në rivendosje kallëzimin penal të...

Apeli e kthen për herë të dytë në rivendosje kallëzimin penal të Hasanit ndaj Pukës për keqpërdorim të detyrës

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Profesori Enver Hasani më 6 shtator 2024 kishte paraqitur kallëzim penal ndaj dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Avni Puka, për keqpërdorim të pozitës zyrtar me pretendimin se kishte nënshkruar raportet mujore financiare për pagesa përkundër që Hasani ndodhej jashtë vendit për shërim.

Pas kallëzimit penal, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 16 qershor 2025 kishte pushuar hetimet ndaj Pukës, mirëpo Prokuroria e Apelit e kishte kthyer rastin në rivendosje. Sërish Themelorja pushoi hetimet më 23 shkurt 2026, por Apeli prapë e ka kthyer rastin në rivendosje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

- Advertisement -

Çka thuhet në kallëzimin penal?

Sipas kallëzimit penal të paraqitur nga Hasani, thuhet se Puka në cilësi të dekanit të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka keqpërdorur detyrë zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëm buxhetit të Kosovës.

- Advertisement -

Kjo për arsye se, sipas kallëzimit penal, Puka ka nënshkruar raportet mujore për pagesa edhe për tani kallëzuesin, i cili ndodhej jashtë vendit për arsye shëndetësore nga shtatori 2023 e deri në shkurt 2024, duke i urdhëruar shërbimit të financave (me nënshkrimin e raporteve) që të gjithë këtë periudhë kohore që ka munguar Hasani për vitin akademik 2023 dhe 2024 të paguhet me pagë të plotë, duke dëmtuar kështu buxhetin prej 15 mijë e 171 euro e 29 centë.

Më këto veprime, sipas kallëzimit, Puka thuhet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par. 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas kallëzimit, thuhet se profesori Hasani ishte diagnostikuar me një sëmundje të rëndë që kërkonte trajtim jashtë Kosovës dhe për këtë ishte njoftuar asokohe rektori Qerim Qerimi, i cili ia ka dhënë miratimin që të vazhdonte me trajtimin mjekësor.

Pas kësaj, Qerimi thuhet se ka shpërndarë orët në Fakultetin Juridik, e të cilat janë mbajtur dhe se profesorët kanë dorëzuar raportet në dekanat, dhe se deklarimet e Pukës se nuk e ka ditë se ka munguar, sipas kallëzimit, ishin deklarime primitive pasi që ishte fakt i ditur se gjendej për shërim.

Sipas kallëzimit penal, hartimi i raporteve nga profesorë që kanë mbajtur orët në vend të tij, ishte vetëm si dëshmi se orët nuk kanë humbur e jo për ta paguar atë.

Sipas kallëzimit, asnjë pagesë për stafin akademik nuk mund të realizohet pa nënshkrim të dekanit dhe vetë profesorit që ka mbajtur orët.

Hasani në kallëzim thotë se deklarimi i Pukës se për të nuk e ka ditë se gjendet për shërim jashtë vendit, është tentativë për t’i ikë përgjegjësisë penale për dëmin e shkaktuar buxhetit të shtetit.

Prandaj, sipas kallëzimit penal të dorëzuar nga Hasani, një veprim i tillë i Pukës nënkupton shkelje të qëllimshme të ligjit për ta denocnuar më pas vetë Hasanin në Këshill të Etikës.

Në fund të kallëzimit thuhet se kolegët profesorë që kanë mbajtur orët në raporte vazhdimisht kanë shënuar fjalën “për Enver Hasanin”.

Hudhja e kallëzimit penal herën e parë:

Pas këtij kallëzimi penal, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 16 qershor 2025 ka pushuar hetimet pas zhvillimit të hetimeve dhe analizimit të dosjes së lëndës- konkretisht provave materiale dhe personale-dëshmitarëve, ku ka ardhë në përfundimin se Puka nuk ka kryer veprën penale sikurse pretendohet me kallëzim.

Kjo për faktin se sipas Prokurorisë, Hasani nuk ka dorëzuar asnjë dëshmi se ka bërë kërkesë për pushim përpos një mesazhi në Viber te Katedra Ndërkombëtare se është i diagnostikuar me një sëmundje dhe do të mungojë përgjatë vitit akademik 2023/24.

Tutje, thuhet se orët mësimore janë mbajtur nga kolegët e Hasanit dhe se vepra penale e keqpërdorimit ekziston kur personi zytar duke shfytëzuar pozitën apo autoritetin tejkalon kompetencat ose nuk përmbushë detyrat zyrtare, me qëllim përfitimin për vete apo dikë tjetër.

E që në rastin konkretm sipas Prokurorisëm nuk rezulton dyshimi i arsyeshëm që Puka ka keqpërdorë detyrën me qëllim përfitimin e dobisë pasurore për vete apo dikë tjetër.

Gjithashtu, në këtë aktvendim thuhet se elementi dashjes bazuar në provat e bashkëngjitura nuk është arritur të vërtetohet te Puka se ai ka dashur të përfitojë apo dikush tjetër financiarisht.

Më pas, Prokuroria Apelit këtë vendim e kishte kthyer në rivendosoje, ku më pas Themelorja sërish kishte pushuar hetimet bazuar në aktvendimin e datës 23 shkurt 2026.

Hudhja e kallëzimit penal për herën e dytë:

Në këtë vendimm Prokuroria sërish ka konstatuar se Puka nuk ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare . Kjo për faktin se, sipas kësaj Prokuroriem nuk është vërtetuar dijenia e Pukës për mungesën e Hasanit dhe zëvendësimin e orëve nga kolegët e tjerë.

Prandaj, sipas Prokurorisë, kjo tregon qartë mungesë e qëllimit kriminal nga ana e Pukës për veprimet e ndërmarra me rastin e nënshkrimit të raporteve, duke i nënshkruar ato me mirëbesim dhe për qëllim të mbrojtjes së interesave të studentëve.

Më pas, sipas njoftimit të lëshuar nga Prokuroria e Apelit, më 13 mars 2026, rasti del të jetë kthyer sërish në rivendosje te Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Betimi për Drejtësi” fillimisht ka kontaktuar e më pas i ka lënë mesazh Pukës për këtë situatë, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje. Në rast të pranimit të përgjigjes, raporti do të përditësohet.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat