Punëtorët e Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL), institucion ky në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), nuk i kanë pranuar pagat e muajit paraprak, e as pagën e 13-të, ndryshe nga pjesa tjetër e sektorit publik në vend.
Lidhur me këtë shqetësim, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në një përgjigje zyrtare për KlanKosova.tv, ka sqaruar se vonesa ka ndodhur si pasojë e një gabimi teknik nga ana e Ministrisë së Financave, përkatësisht nga Divizioni i Pagave.
MMPH-ja ka kërkuar mirëkuptimin e zyrtarëve të ARPL-së, duke bërë të ditur se kjo çështje do të rregullohet gjatë muajit pasues, pasi procesi i ekzekutimit të pagave për muajin mars 2026 tashmë është përmbyllur.
Ngarkesa e madhe shkaktoi lëshime teknike Sipas Ministrisë, Divizioni i Pagave këtë muaj është përballur me një vëllim të madh pune për shkak të disa proceseve shtesë, siç janë paga e 13-të, kompensimet retroaktive për përvojën e punës, krijimi i ministrive të reja, si dhe bartja dhe sistemimi i nëpunësve.
“Mosrealizimi i pagës së rregullt dhe pagës së 13-të për zyrtarët e ARPL-së ka ndodhur për shkak të një gabimi teknik nga Ministria e Financave, gjegjësisht Divizioni i Pagave, i cili këtë muaj është përballur me shumë procese shtesë. Kjo ka krijuar ngarkesë të madhe në një kohë të shkurtër. Për këtë arsye kanë ndodhur lëshime teknike dhe kërkojmë mirëkuptimin e zyrtarëve të ARPL-së. Kjo do të rregullohet në muajin vijues”, thuhet në njoftimin e MMPH-së.
Zyrtarët e prekur pritet t’i marrin mjetet e tyre bashkë me pagën e radhës, pasi institucionet përkatëse të kenë përditësuar listat e pagesave me korrigjimet e nevojshme.



