Brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë shpërthyer mospajtime lidhur me rolin që duhet të luajë kryetari Lumir Abdixhiku në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
Anëtarja e këtij subjekti, Besa Gaxherri, ka deklaruar hapur se Abdixhiku nuk duhet të pranojë kandidaturën për president, pasi partia ka nevojë për angazhimin e tij të plotë si lider. Sipas saj, nëse ai vendos të kandidojë, dorëheqja nga pozita e kryetarit të LDK-së duhet të jetë hapi i parë i pashmangshëm.
Në anën tjetër, nënkryetari Lutfi Haziri ka shprehur një qëndrim krejtësisht ndryshe. Ai ka bërë të ditur se, në rast të një marrëveshjeje politike me Lëvizjen Vetëvendosje, Lumir Abdixhiku mbetet kandidati i parë dhe i vetëm që gëzon përkrahjen e parezervë të strukturave të partisë.
Ky debat i brendshëm vjen në një kohë kur presioni i afateve kushtetuese po rritet. Nëse deri më 28 prill 2026 nuk zgjidhet pasardhësi i Presidencës, Kosova do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, një skenar të cilin Gaxherri e cilëson si pjesë të “lojës politike” të kryeministrit Albin Kurti për të dëmtuar opozitën.



