Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, me rastin e 18-vjetorit të Ditës së Kushtetutës, ka deklaruar se ky dokument mbetet udhërrëfyesi kryesor në rrugën e shtetndërtimit dhe forcimit të sundimit të ligjit.
Përmes një mesazhi publik, Abdixhiku theksoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është thjesht akti më i lartë juridik, por përfaqëson zotimin kolektiv për një shtet të drejtë, të barabartë dhe me perspektivë të qartë euroatlantike.
“Në këtë 18-vjetor, ne kujtojmë me mirënjohje të thellë sakrificën dhe vendosmërinë e popullit tonë që i hapi rrugë krijimit të këtij dokumenti historik, si dhe të gjithë qytetarët që kontribuuan në ndërtimin e institucioneve mbi vlerat demokratike”, ka shkruar kreu i LDK-së.
Udhërrëfyesi drejt familjes euroatlantike Abdixhiku bëri thirrje që kjo ditë të shërbejë si një moment reflektimi dhe frymëzimi për të vazhduar angazhimin e secilit drejt progresit ekonomik dhe integrimeve perëndimore.
“Le të shërbejë kjo ditë si frymëzim për të vazhduar angazhimin tonë për një Kosovë demokratike, të zhvilluar dhe euroatlantike. Urime, Dita e Kushtetutës”!, përfundoi mesazhin e tij Abdixhiku.
Kujtojmë se Kushtetuta e Kosovës u miratua më 9 prill 2008 dhe vlerësohet si një nga dokumentet më moderne në rajon, duke garantuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut për të gjitha komunitetet që jetojnë në vend.



