storm•/e të tjerëve: Kosova, çdo ditë e më shumë, po i ngjan një sere të madhe. Jo për prodhimin e produkteve bujqësore, por për “rritjen” e kuadrove të profileve të ndryshme, të cilat më pas eksportohen në shtetet e BE-së dhe më gjerë.
Dallimi mes kësaj “sere” dhe serave të zakonshme që prodhojnë, për shembull, patëllxhan, speca apo tranguj, është se nga eksportimi i këtyre të fundit ka përfitime financiare. Ndërsa nga eksportimi i kuadrove, nuk ka asnjë fitim të drejtpërdrejtë, që zakonisht vjen kur eksporton mallra.
Gjendja është edhe më e rëndë. Për rritjen e këtij “produkti” bëhet një investim i konsiderueshëm, si nga vetë kuadrot dhe familjet e tyre, ashtu edhe nga logjistika shtetërore, përmes investimeve në shkolla, pagave të mësuesve dhe shpenzimeve të tjera përcjellëse.
Me largimin e këtyre kuadrove, të cilët tashmë nuk janë thjesht zanatlinj, por edhe profesionistë si infermierë, mjekë, inxhinierë e profesorë, jo vetëm që nuk fitohet ndonjë taksë eksporti, por, përveç humbjes së të gjitha investimeve, shfaqen edhe pasojat e vakancave që krijohen në vendet e punës, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik.
Përveç serave publike që kemi për rritjen e këtyre kuadrove, tani ato po shoqërohen edhe nga sera private, të cilat kushtojnë edhe më shumë. Megjithatë, produkti i tyre rritet më shpejt dhe më lehtë, ngjashëm me produktet bujqësore që rriten në sera kur u shtohen medikamente të rrezikshme për një rritje të shpejtë, por të pasigurt për shëndetin.
Dikur, shtetet koloniale kolonizonin popuj dhe vende për të përfituar nga pasuritë e tyre të mundshme, përfshirë ato njerëzore. Sot kemi një formë të re të kolonizimit modern. Në Kosovë, ne rrisim fëmijë, i shkollojmë me shumë mund dhe, në fund, përpara se t’i “falim” në vendet koloniale moderne, i bëjmë edhe një investim të fundit: i dërgojmë në kurse të shtrenjta për të mësuar gjuhët e tyre. Pas kësaj, i falënderojmë për mundësinë e dhënë, pa e parë të nevojshme t’i mallkojmë ose të ngremë ndonjë protestë kundër këtij fenomeni. Në fund të fundit, gjithçka është “vullnetare”, jo nga dëshira, por nga pamundësia që ata të rrinë e të punojnë në vendin e tyre.
Sigurisht, kjo është shumë shqetësuese, jo vetëm për ata që preken individualisht, por edhe për të ardhmen e shoqërisë dhe vendit në përgjithësi!
Autori është kolumnist i rregullt në storm•; opinionet e tij publikohen pa ndërhyrje nga redaksia.