Stafi i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe autoritetet e Kosovës kanë arritur marrëveshje në nivel stafi lidhur me politikat për përfundimin e Rishikimit të Tretë në kuadër të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF) për Kosovën.
Përfundimi i Rishikimit të Tretë vë në dispozicion shumën shtesë prej 13.35 milionë SDR (16.5 milionë euro) në kuadër të SBA-së dhe së paku 15.5 milionë SDR (19.1 milionë euro) në kuadër të RSF-së. Marrëveshja duhet së pari të miratohet nga Menaxhmenti i FMN-së dhe Bordit Ekzekutiv të FMN-së, ndërsa shqyrtimi nga Bordi pritet të bëhet në dhjetor.
FMN ka deklaruar se performanca ekonomike e Kosovës ka vazhduar të jetë e fortë.
“Ekonomia e Kosovës ka vazhduar të performojë mirë, e mbështetur nga konsumi i fortë privat dhe investimet më të larta publike, të cilat kanë kompensuar ndikimin e deficitit të rritur tregtar dhe zbutjes së remitancave. Parashikojmë që rritja ekonomike këtë vit do të jetë 4¼ për qind, dhe vitin e ardhshëm 4 për qind. Inflacioni total ka rënë ndjeshëm, duke arritur në 0.4 për qind në tetor 2024, i nxitur nga ngadalësimi i rritjes së çmimeve të ushqimit dhe transportit. Deficiti i llogarisë së jashtme rrjedhëse është zgjeruar në 2¾ për qind të BPV-së në tetë muajt e parë të vitit 2024 nga 1½ për qind e BPV-së në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si pasojë e rritjes së importeve të mallrave dhe shërbimeve, nxitur nga kërkesa e brendshme më e lartë. Kreditimi i sektorit privat është rritur në numra dyshifrorë, duke thelluar sektorin financiar dhe siguruar mbështetje shtesë për ekonominë. Sektori bankar vazhdon të jetë i shëndetshëm, fitimprurës dhe i kapitalizuar mirë, me nivele të ulëta të kredive joperformuese”.
“Autoritetet kanë vazhduar të zbatojnë politika të kujdesshme makroekonomike. Mbledhja më e fortë e të hyrave ka kontribuuar në suficit buxhetor në tre tremujorët e parë të vitit 2024; shpenzimet publike kanë ndjekur trendet e zakonshme sezonale. Me rritjen e shpenzimeve në pjesën e fundit të vitit, pritet një deficit fiskal prej rreth 1¼ për qind të BPV-së për të gjithë vitin 2024. Rritja e shpenzimeve reflekton ekzekutim të përshpejtuar të Programit të Investimeve Publike (PIP) të autoriteteve dhe masa të reja shpenzimi (p.sh. reformë të shtesave për fëmijë) me qëllim të adresimit të sfidave”.
“Buxheti i vitit 2025 synon të ketë qëndrim fiskal ekspansionist dhe është në përputhje me objektivat e programeve të FMN-së. Politika fiskale ka rol të rëndësishëm në adresimin e nevojave të mëdha zhvillimore dhe sociale të Kosovës, ndërsa ndihmon në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. Buxheti i vitit 2025 reflekton disa prioritete kyçe të politikave. Falë rritjes së mbledhjes së të hyrave dhe në përputhje me rregullin fiskal, buxheti do të mundësojë një rritje progresive të pagave në sektorin publik. Kjo adreson nevojën për të ruajtur vlerën reale të pagave dhe për të siguruar që sektori publik të vazhdojë të jetë konkurrues dhe atraktiv për talentin. Për më tepër, buxheti përfshin një rritje prej 20 për qind të përfitimeve pensionale të financuara nga shteti, që reflekton rritjen e kostos së jetesës”.
“Në periudhën afatmesme, politika fiskale duhet të jetë e ankoruar në një kuadër të fortë politikash duke i dhënë prioritet investimeve kapitale dhe mbrojtjes së targetuar sociale. Vazhdimi i fokusit në forcimin e mbledhjes së të hyrave do të ndihmojë në sigurimin e burimeve shtesë për këto shpenzime. Duke pasur parasysh pasigurinë e lartë, rreziqet negative dhe euroizimin e njëanshëm të Kosovës është me rëndësi të krijohen rezerva të vazhdueshme fiskale. Përshpejtimi i anëtarësimit në BE do të mbështeste edhe më tej nevojat zhvillimore të Kosovës duke mobilizuar ndihmë financiare shtesë”.
“Autoritetet kanë shënuar performancë të fortë në kuadër të SBA-së dhe RSF-së. Janë përmbushur të gjitha caqet sasiore dhe indikative (IT) të fund qershorit për përmbylljen e Rishikimit të Tretë. Janë përmbushur edhe të gjitha IT-të e fundit të shtatorit 2024. Autoritetet janë duke avancuar edhe me reforma strukturore, duke përfshirë forcimin e transparencës së ndërmarrjeve publike. RSF është duke sjellë rezultate të konsiderueshme në mbështetje të agjendës së gjelbër të autoriteteve. Janë zbatuar shumica e masave të reformës, të dakorduara në kuadër të RSF-së. Masa e mbetur, shpallja e tenderit për energjinë me erë, është vonuar për arsye teknike, por pritet të përfundojë së shpejti”.
“E mirëpresim përparimin e konsiderueshëm të realizuar nga BQK-ja\\ në forcimin e rregullimit të sektorit financiar dhe avancimin e strukturës së saj institucionale dhe qeverisëse. Ligji për bankat dhe ligji për pagesat, aktualisht në shqyrtim në Kuvend, do të forcojnë bazën ligjore për avancimin e mbikëqyrjes bankare dhe do të mbështesin integrimin e Kosovës në BE. Ka përpjekje të vazhdueshme për të modernizuar kuadrin rregullativ të mbikëqyrjes bankare, përfshirë zbatimin e Procesit të Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP), duke e përafruar më shumë Kosovën me standardet e BE-së. Miratimi i një rezerve kundërciklike të kapitalit dhe tarifës shtesë kapitale për institucionet me rëndësi sistemike janë hapa kyçë për të forcuar reziliencën e sektorit financiar ndaj goditjeve të ardhshme”.
“Diskutimet sipas Nenit IV kishin në fokus reformat për forcimin e rezultateve të tregut të punës, përfshirë rritjen e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore, përmirësimin afatgjatë të qëndrueshmërisë dhe barazisë së sistemit pensional, forcimin e rezervave ndaj goditjeve të mundshme, si dhe nxitjen e potencialit të rritjes përmes përmirësimit të qasjes në financa, shfrytëzimit të përfitimeve nga digjitalizimi dhe mobilizimit të investimeve në sektorin privat”.