Ambasada Gjermane në Prishtinë ka vlerësuar rolin e kontingjentit gjerman në KFOR, duke theksuar kontributin e tij të vazhdueshëm për paqe, stabilitet dhe siguri në Kosovë dhe rajon. Në një patrullim rutinor të realizuar së fundmi, ka marrë pjesë edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph.
Kontingjenti gjerman i KFOR-it, pjesë e misionit paqeruajtës ndërkombëtar, është vlerësuar për profesionalizmin dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në terren.
Ambasadori Rudolph gjatë vizitës në patrullim është informuar nga afër me detyrat e përditshme të ushtarëve gjermanë dhe angazhimin e tyre në kuadër të misionit.

“Profesionalizmi, përkushtimi dhe bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë mbeten një shembull i fortë i dedikimit dhe shërbimit. Një falënderim i sinqertë për të gjithë pjesëtarët e shërbimit për përpjekjet e tyre të palodhshme dhe përkushtimin e vazhdueshëm”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Gjermanisë.



