Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u ka dërguar një letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, si dhe shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke përcjellë raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe duke ngritur shqetësime serioze mbi gjetjet e tij.
Letra, e dërguar përmes kanaleve diplomatike, u është adresuar edhe Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së dhe ministrave të jashtëm të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë, ndërsa raporti është shpërndarë edhe te zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
Në përmbajtjen e saj, Qelaj thekson shqetësimet për garantimin e një gjykimi të drejtë në procedurat e Dhomave të Specializuara, duke u bazuar në një vlerësim të pavarur të realizuar nga organizata “Bar Human Rights Committee of England and Wales”.
Sipas raportit, janë identifikuar çështje serioze që lidhen me mbrojtjen e garancive procedurale, përfshirë të drejtën për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm, si dhe barazinë e palëve në proces.
Avokati i Popullit ka theksuar se respektimi i standardeve ndërkombëtare të drejtësisë është thelbësor për besueshmërinë e procesit gjyqësor, duke kërkuar që praktikat dhe procedurat e gjykatës të jenë në përputhje të plotë me këto standarde.
Në fund, ai rikujton se Kosova ka dëshmuar angazhim të vazhdueshëm ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit, duke themeluar Dhomat e Specializuara dhe duke bashkëpunuar me to në përputhje me obligimet ndërkombëtare.



