Protokolli i bashkëpunimit për çështjen e emigracionit mes Italisë dhe Shqipërisë ishte në qendër të diskutimeve në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Budapest, tha të premten kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
“Vazhdon të ketë një interes të jashtëzakonshëm, një vëmendje që unë e konsideroj absolutisht pozitive”, tha Meloni për gazetarët në Budapest.
“Gjithashtu, pati një kureshtje për sa u përket shteteve të sigurta. Ajo që ndodh në Itali me emigracionin e paligjshëm prek edhe shtetet e tjera. Kishte shqetësim për faktin sesi mundet që qeveritë nuk lejohen të vendosin vetë se cili shtet është i sigurtë, duke e rrezikuar realisht këtë koncept”, theksoi kryeministrja italiane.
“Kjo kompromenton çdo përpjekje për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Për këtë pata solidaritetin e tyre”, shtoi Meloni.
Liderët evropianë i kanë shprehur solidaritetin kryeministres italiane Giorgia Meloni gjatë takimit joformal të BE-së në Budapest – ku, sipas saj, pjesë e diskutimeve ishin edhe kampet e refugjatëve të ngritura në Shqipëri.
Meloni përmendi nismën e Italisë për ngritjen e kampeve të emigrantëve në Shqipëri, e cila ka tërhequr vëmendjen e disa vendeve anëtare të BE-së.
Kjo masë, e fokusuar veçanërisht në sigurimin e opsioneve të sigurta të kthimit për migrantët, pasqyron qëndrimin e Italisë për menaxhimin e migracionit.
Megjithatë, gjyqësori italian ka sfiduar autoritetin e qeverisë për të dëbuar emigrantët e paligjshëm në vendet e përcaktuara ‘të sigurta’, një qëndrim që Meloni e kritikoi, duke deklaruar: ‘Sipas gjykatave italiane, nuk ka asnjë vend të sigurt në botë, duke çuar në një rritje të pakontrolluar të emigracionit dhe pamundësia për të ndaluar hyrjet e paligjshme.’
Deklaratat e Giorgia Melonit pasqyrojnë angazhimin e Italisë për të formuar një BE që i jep përparësi zgjidhjeve praktike, mbështetjes te vetja dhe qëndrueshmërisë strategjike.
Ndërsa Evropa përballet me sfida në rritje, vizioni i Melonit nënvizon një thirrje për veprim vendimtar dhe bashkëpunues midis kombeve të BE-së.
Studim i ri ka zbuluar disa faktorë që mund të ndikojnë në mënyrën se si truri plaket dhe pse disa njerëz përjetojnë rënie më të shpejtë të aftësive mendore sesa të tjerët.
Hulumtimi ka treguar se aftësitë mendore që kanë njerëzit kur janë më të rinj, madje edhe nga mosha 11-vjeçare, mund të ndikojnë në atë se sa mirë mund të plaket truri i njeriut.
Pjesa më e madhe e këtyre faktorëve janë të lidhura me jetën e hershme, por edhe zakonet dhe mënyra e jetesës në moshën e rritur luajnë rol të rëndësishëm, ka shkruar CNN.
“Kemi zbuluar se faktorë të tillë si aktivitet fizike dhe mendore, shmangia e faktorëve të rrezikut si tensioni i lartë i gjakut, duhani, dhe mbipesha, si dhe angazhimi në aktivitete si mësimi i një gjuhe të dytë ose luajtja e një instrumenti muzikor, mund të ndihmojnë në ruajtjen e trurit dhe ngadalësimin e plakjes mendore”, ka thënë autori i studimit, Simon Cox nga Universiteti i Edinburgut.
Këta faktorë, ani pse të vegjël, mund të kenë ndikim të rëndësishëm kur mblidhen.
Studimi u bazua në të dhënat e dy grupeve të rriturish në Skoci që janë ndjekur për dekada.
“Ne kemi bërë teste të njohurive të pjesëmarrësve kur kishin 11 vjeç dhe u testuan përsëri kur ishin në moshën 70-90 vjeç”, ka thënë Cox.
Hulumtimi tregoi se truri i disa individëve ishte shumë më i shëndetshëm në moshën 73-vjeçare, krahasuar me të tjerë që kishin shenja të dukshme të dëmtimit të trurit dhe plakjes të parakohshme.
Ky ndryshim tregon se plakja e trurit nuk është proces i paevitueshëm dhe se mund të ndikojnë faktorë të shumtë, duke përfshirë ata të stilit të jetës dhe mjedisit.
Një tjetër gjetje është se disa individë kanë aftësi mendore që janë të ngjashme me ato të njerëzve 20-30 vjet më të rinj.
Cox ka thënë se ai dhe ekipi i tij janë munduar të kuptojnë se cilët faktorë të veçantë mund të lidhen me këtë “mosplakje” mendore.
Gjithashtu, ka edhe studime të tjera që sugjerojnë se ushtrimi i rregullt, ushqyerja e shëndetshme, gjumi i mirë dhe menaxhimi i shëndetit mendor (si depresioni) janë të gjitha të rëndësishme për të ngadalësuar plakjen e trurit dhe për të ulur rrezikun e demencës.
Sipas studiuesve, edhe meditimi i përditshëm mund të ketë efekt pozitiv në shëndetin e trurit.
Ekspertët e kane krijuar një mjet që quhet “Brain Care Score”, i cili është zhvilluar për të ndihmuar në vlerësimin e rrezikut për zhvillimin e demencës ose sulmit në tru, duke marrë parasysh faktorë të tillë si presioni i gjakut, sheqeri në gjak, nivelet e kolesterolit, aktiviteti fizik, dhe marrëdhëniet shoqërore.
Rezultati më i lartë në këtë shkallë lidhet me rrezik më të ulët për këto probleme shëndetësore.
Ekspertët kanë këshilluar që njerëzit duhet të konsultohen me mjekun çdo vit ose çdo dy vjet për të monitoruar shëndetin fizik dhe për të kontrolluar faktorët që mund të ndikojnë në plakjen e trurit, si tensionin e gjakut dhe kolesterolin.
Kujdesi për shëndetin e eshtrave dhe forcën e muskujve është gjithashtu shumë i rëndësishëm për të mbajtur trurin në formë.
Në përfundim, edhe pse disa faktorë të trashëgimisë dhe jetës së hershme mund të ndikojnë në plakjen e trurit, është e mundur të ruhet shëndeti i trurit nëpërmjet jetesës aktive dhe të shëndetshme, si dhe duke menaxhuar faktorët e rrezikut.
Rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë po komentohet edhe si mundësi për dinamizim të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Dinamikë të re paralajmëroi edhe Marta Kos nëse e merr detyrën e komisares së BE-së për zgjerim.
Gjatë administratës së parë të Donald Trumpit, Kosova e Serbia e kishin arritur marrëveshjen e Uashingtonit, nga e cila ishte siguruar edhe njohja nga e Izraeli, e vetmja njohje në katër vitet e fundit.
Rizgjedhja e presidentit Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po shihet me optimizëm, sa i përket procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, ka thënë se dialogu ka pasur nevojë që të ridinamizohet për faktin që edhe formati edhe ecuria e deritashme kanë qenë jo të duhura.
Si e tillë, sipas tij, qasja e administratës së Trumpit në këtë çështje do të jetë ndryshe.
“Mendoj që ndryshmet në administratën amerikane sigurisht që do ta sjellin një risi tjetër dhe kjo për faktin edhe të sjelljes të një energjie të re por edhe për faktin se sigurisht do të kemi edhe një qasje tjetër sepse administrata që udhëhiqet nga administrata e mëparshëm dhe unë dua të shohë me optimizëm…” , tha Hoti, raporton RTK.
Hoti ka komentuar edhe paralajmërimin e kandidates për komisionere për zgjerimin e BE-së, Marta Kos, për mundësinë që Bashkimi Evropian të ndryshojë qasje ndaj procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Në këtë pikë ajo tha se nuk do t’i ndiqte tendencat e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ndryshimi i qasjes para së gjithash edhe ecja ma me energji të re nënkupton seriozitet me këtë tematik dhe presion mbi palët sepse fundja tashmë nuk kuptimin formal juridik kemi marrëveshje në sfond, të dyja marrëveshjet janë obligative për palët dhe e tëra që mbetët është shtytja që palët ti zbatojnë ato…”, thotë Hoti.
Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, ka thënë se Kosova duhet t’i koordinojë veprimet me faktorin ndërkombëtar.
“Qeveria Kurti duhet të mësoj nga e kaluara e Kosovës sepse e kaluara dhe historia jonë tregon që ne kemi sukses atëherë kur bashkërendojmë veprimet me aleatët tanë, normalisht duke qenë gjithsesi aktiv në teren, duke kontribuar me çfarëdo ide, me çfarëdo veprimi pozitiv, por gjithsesi duke ruajtur edhe bilancin me koordinimin”, tha Ramadani.
Ndërkohë, në tetorin e këtij viti i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, marrëdhëniet ndërmjet të dyjave vendeve i kishte konsideruar si sfidën më të madhe strategjike në rajon.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Hungari në samitin e Komunitetit Politik Evropian, në Budapest, ka thënë se ka takuar sot miken e popullit tonë, presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Osmani në një postim në Facebook, ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar për avancimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian, si dhe sfidat në këtë rrugë.
“Takim shumë i mirë me Kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, mike e madhe e popullit tonë. Diskutuam për avansimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian si dhe sfidat që i kemi përpara në këtë rrugë”, ka shkruar Osmani.
Edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në një postim në platformën X, ka bërë të ditur për takimin që ka zhvilluar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Budapest.
“Me Presidenten Vjosa Osmani, diskutova për përpjekjet e Kosovës për një të ardhme evropiane… Angazhimi në dialogun Prishtinë-Beograd duhet të çojë në përparim ”, ka shkruar, pos tjerash, Metsola në platformën “X”.
Autoritetet në Spanjë thanë se 78 persona ende janë të zhdukur, dhjetë ditë pasi shteti u përball me stuhitë më katastrofale në 100 vjetët e fundit.
Qeveria në Valencia, rajonin më të goditur nga vërshimet, e publikoi këtë shifër në platformën X. Paraprakisht, numri i të zhdukurve ishte 93.
Numri zyrtar i viktimave nga vërshimet është 219. Vetëm në Valencia, trupat e pajetë të 211 personave janë gjetur deri më tani, teksa tetë viktima janë regjistruar në rajonet fqinje të Kastilla-La Manças dhe në Andaluzi.
Që atëherë, edhe rajone të tjera të Spanjës janë përballur me mot të lig. Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar vërshime në Kataloni të enjten dhe të premten, ndërkaq edhe ishulli i Majorkës është goditur rëndë nga vërshimet.
Në Valencia, autoritetet po vazhdojnë të kërkojnë të zhdukur, edhe pse autoritetet rajonale kanë thënë se 40 trupa të pajetë që janë gjetur, ende nuk janë identifikuar. Ka frikë se disa nga trupat e viktimave mund të kenë përfunduar në Detin Mesme.
Po ashtu, autoritetet në Spanjë po vazhdojnë operacionet e pastrimit të 75 qytezave dhe fshatrave që janë prekur nga vërshimet. Shumë ndërtesa janë ende të paqasshme apo vështirë të arritshme, teksa rrugët janë pjesërisht të bllokuara nga makinat apo edhe nga rrënojat e ndërtesave. /REL
Sot, hetuesit e stacionit policor të Fushë-Kosovës, kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën zjarrvënie dhe dy kanosje.
Personi arrestuar me inicialet I.T., me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Sot hetuesit e stacionit policor të Fushë Kosovës, kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën zjarrvënie dhe dy kanosje të raportuara në Fushë Kosovë. Personi arrestuar : I.T, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Polica po vazhdon punën në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike si dhe goditjes së individëve dhe grupeve kriminale, me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikim dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në ngjarjet kriminale”, thuhet në njoftim.
Gjykata e Apelit të Posaçëm ashpërsoi masat e dënimit për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako lidhur me aferën e inceneratorit të Elbasanit.
Treshja gjykuese e kryesuar nga Ilirjana Olldashi e cilësoi fajtor ish-ministrin Koka edhe për akuzën e shpërdorimit të detyrës kryer në bashkëpunim, vepër për të cilën kishte marrë pafajësi nga Gjykata e Posacme.
Përfundimisht Koka u dënua me 10 vite burgim, për korrupsion, pastrim parash e shpërdorim të detyrës, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu reduktua në 6 vite e 8 muaj.
Alqi Bllako, që në shkallën e parë kishte marrë pafajësi për shpërdorim detyre, u ngarkua me këtë akuzë dhe përfundimisht u dënua me 2 vjet e 8 muaj dhe 5 vite heqje e së drejtës për të ushtruar funksione publike. Për të pandehurit e tjerë masat e dënimit mbetën në fuqi.
Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, që cilësohen nga SPAK si pronarët de fakto të inceneratorit të Tiranës, u dënuan përfundimisht me 6.8 vjet bujrgim, raporton News 24.
Stela Gugallja, administratore e inceneratorin e Elbasanit, partnerja e Mirel Mërtirit, me 4.8 vjet. Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit të Shpronësimit 2.8 vjet.
Bardhyl Cabiri me 2 vjet burgim. Jonida Zeqo me 2.8 vjet burg.
Serafin Papa u dënua me 1.4 vite burg, vendim që është shlyer tashmë.
Gjykata vendosi po ashtu të sekuestrojë dhe disa nga pasuritë e ish-ministrit Lefter Koka. Ish-zyrtari bashkë me Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin e Klodian Zoton si dhe ish-zyrtarë të tjerë janë të pandehur edhe për inceneratorin e Fierit dhe Tiranës.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, vizituan zonën e trajnimit në Babaj i Bokës, ku është duke u zhvilluar ushtrimi fushor “Ujku i Çeliktë”, në të cilin pritet të bëhet validimi i kapaciteteve operacionale të Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë (R2K).
Sipas njoftimit të FSK-së, gjenerallejtënant Jashari dhe Maqedonci janë njohur për së afërmi me aktivitetet që R2K është duke i zhvilluar si dhe fazën në të cilën është aktualisht duke u zhvilluar ushtrimi.
Tutje, thuhet se Forca e Sigurisë së Kosovës bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT), është duke ngritur kapacitetet operacionale të njësive, bazuar në misionin e tyre. Andaj në kuadër të këtij ushtrimi do të vlerësohen kapacitetet ushtarake të Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë dhe Togut të mbështetjes luftarake të Policisë Ushtarake me qëllim validimin për të qenë të gatshëm në realizimin e detyrave në përmbushjen e misionit.
Postimi i plotë:
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci vizitojnë UF “Ujku i Çeliktë”
Komandanti i FSK-së (KOMFSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes (MM) Ejup Maqedonci, ishin për vizitë në zonën e trajnimit në Babaj Bokës, ku është duke u zhvilluar ushtrimi fushor “Ujku i Çeliktë”, në të cilin pritet të behet validimi i kapaciteteve operacionale të Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë (R2K).
KOMFSK dhe MM janë njohur për së afërmi me aktivitetet që R2K është duke i zhvilluar si dhe fazën në të cilën është aktualisht duke u zhvilluar ushtrimi.
Forca e Sigurisë së Kosovës bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit ( PGJT), është duke ngritur kapacitetet operacionale të njësive, bazuar në misionin e tyre. Andaj në kuadër të këtij ushtrimi do të vlerësohen kapacitetet ushtarake të Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë dhe Togut të mbështetjes luftarake të Policisë Ushtarake me qëllim validimin për të qenë të gatshëm në realizimin e detyrave në përmbushjen e misionit.
Shpërbërja e koalicionit qeveritar gjerman ka sjellë pasiguri. Scholz planifikon zgjedhje në mars, opozita e opinioni i presin më herët, shkruan Auron Dodi.
Koalicioni qeveritar në Gjermani me SPD-Të-Gjelbrit- FDP tani i përket historisë. Ky koalicion u shpërbë të mërkurën (06.11.), për shkak të mosmarrëveshjes për politikën e duhur ekonomike për ta rigjallëruar ekonominë gjermane.
Kancelari Olaf Scholz kishte paraqitur të mërkurën për miratim, në një mbledhje të komisionit të koalicionit, një dokument me vendime. Dokumenti kërkonte të pranohej se Gjermania po përjeton një situatë emergjente. Kjo do të justifikonte juridikisht marrjen e një borxhi dyshifror miliardash nga qeveria. Në situata emergjente frena kushtetuese për borxhin lejohet të shkelet. (Tre miliardë euro nga borxhi 15 miliardë euro u tha se do të përdoreshin për të shtuar ndihmën për Ukrainën).
Presidenti Steinmeier i jep ministrit të Financave Lindner dokumentin e lirimit nga detyra.
Dokumenti i kancelarit ishte përgjigje ndaj kërkesave të së premtes së kaluar (01.11.) të ministrit të Financave, Christian Lindner, kur me një dokument 18 faqesh Lindneri kërkoi papritur një kthesë radikale ekonomike: shkurtime masive të shpenzimeve dhe ulje taksash.
Por Lindneri, nga partia më e vogël liberale FDP, nuk i pranoi të mërkurën propozimet e kancelarit. Kjo megjithë katër përpjekjet për kompromis nga kancelari që prej së hënës, në takime treshe edhe me përfaqësuesin e Të Gjelbërve, Robert Habeck. Linderi nguli këmbë në përgatitje të përbashkëta për të shkuar „me rregull e dinjitet” në zgjedhje të parakohshme në janar.
Motivimi dhe kronologjia e ngjarjes
Refuzimi i fundit i ministrit të Financave e bëri “të patolerueshme” situatën për kancelarin Scholz. Olaf Scholzi vendosi të jetë ai që ta kontrollojë procesin. Ai i kërkoi Presidentit të Gjermanisë lirimin nga detyra të ministrit të Financave, Christian Lindner.
Në një deklaratë para medieve të mërkurën në mbrëmje Scholzi tha se Lindneri e “kishte shkelur shumë herë besimin e tij”. Ai kishte “bllokuar ligjet për shkaqe që nuk kishin të bënin me përmbajtjen”. Dhe kishte ndjekur “shumë shpesh një politikë të ngushtë partiake”. Kancelari tha se “kushdo që në një situatë të tillë refuzon…një ofertë kompromisi, vepron në mënyrë të papërgjegjshme”. Në vazhdim, qeverinë e braktisën edhe dy ministra të tjerë liberalë të FDP-së.
Kancelari Scholz, Presidenti Steinmeier dhe tre ministra të liruar nga detyra të FDP-së
Tronditje dhe lehtësim në Gjermani
Sot (08.11.) shumë gjermanë shprehen në medie të lehtësuar, që mori fund ajo që përjetohej si një ecje e frenuar, apo edhe si paralizë në qeverinë në Berlin. Kështu janë shprehur edhe përfaqësues të socialdemokratëve dhe të liberalëve të FDP. Në sondazhe të ndryshme të fundit, SPD mbetet stabile te 16%, FDP luhatet midis 3-5%. Llogaria e mundshme e Linderit, që partia e tij, e rrezikuar të mos hyjë në Bundestagun e ri (pragu është 5%), të shihet nga njerëzit si çliruese nga një koalicion qeveritar jo popullor, deri tani nuk shpërblehet në sondazhe.
Të mërkurën në mbrëmje dhe pjesërisht dje, mbizotëronin megjithatë opinione të tronditura. Kjo kishte të bënte me ditën kur u shpërbë qeveria: e mërkura ishte dita kur Donald Trumpi u rizgjodh qartë President i SHBA. Kjo ka shkaktuar pasiguri në BE dhe veçanërisht në Gjermani: për politikat ekonomike dhe të sigurisë që do të ndjekë Trumpi. Në një deklaratë të posaçme dje (07.11.) Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u ndje i detyruar të kujtojë se “fundi i një koalicioni nuk është fundi i botës…”. Ai foli njëkohësisht për „orë dramatike” për Gjermaninë.
Presidenti Steinmeier pas fundit të koalicionit qeveritar (07.11.2024)
Koalicioni qeveritar në Gjermani ishte jo shumë popullor, për shkak të fërkimeve publike. Dramatika u ushqye nga përkimi i zhvillimeve në SHBA me shkarkimin e papritur, spektakolar nga kancelari Scholz, të ministrit liberal të Financave.
Zgjedhjet e parakohshme të rralla në RFGJ
Zgjedhjet e parakohshme nuk janë të pazakonta në vende të tjera evropiane. Por Gjermania ka qenë gjithë këto vite simbol i stabilitetit politik. Presidenti Steinmeier kujtoi se në 75 vjet Republikë Federale të Gjermanisë janë shumë të pakta rastet, kur një qeveri gjermane e ka humbur shumicën parlamentare ende pa mbaruar legjislatura.
Në mendje na vjen rasti i mbi 40 vjetëve më parë: kur socialdemokratët e kancelarit Helmut Schmidt e humbën shumicën gjatë legjislaturës. Sepse liberalët e FDP-së me Hans-Dietrich Genscher dhe Otto Graf Lambsdorff, braktisën, po për arsye ideologjike, qeverinë socialdemokrate. Ata vendosën t’i bashkohen CDU-së së Helmut Kohlit. Prej vitit 1982, CDU-ja me Helmut Kohlin dhe liberalët e FDP-së e qeverisën Gjermaninë për 16 vjet rresht.
Në vitin 2005, kancelari socialdemokrat Gerhard Schröder, kërkoi votëbesimin pa nevojë, për të imponuar zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme erdhën, por Schröderi nuk përfitoi prej tyre, gjë për të cilën u nis. Në pushtet erdhi CDU me Angela Merkelin, e cila në koalicione të ndryshme e qeverisi Gjermaninë gjithashtu 16 vjet rresht.
Helmut Schmidt (djathtas, SPD) përgëzon pasardhësin e tij Helmut Kohl (mes, CDU) për zgjedhjen si kancelar. (01.10.1982)
Ndryshimi i situatës gjeopolitike solli presion mbi fondet
Krizat në botë, lufta në Ukrainë, inflacioni, çmimi i lartë i energjisë e shtuan presionin mbi fondet në Gjermani. Edhe mbi fondet që mund të ndaheshin nga qeveria Scholz. Fondet në dispozicion për klientelat e ndryshme të secilës parti nuk mjaftuan më për të mbuluar dallimet ideologjike.
Kjo i rëndoi ndarjet ideologjike. Socialdemokratët e Të Gjelbrit flasin për kohë të jashtëzakonshme dhe kërkojnë më shumë borxhe. Aq më tepër kur Gjermania është një shtet me borxhin më të ulët në Evropë : 63,7% (2023). Ndërsa liberalët e FDP-së duan që shteti të shpenzojë vetëm aq para sa merr nga taksat: siç e kërkon frena kushtetuese e Gjermanisë.
Të Gjelbrit, e pjesërisht edhe socialdemokratët, kërkojnë që shteti të ndërhyjë për zbatimin e politikave sociale dhe ekologjike. Ndërsa liberalët e FDP-së janë për tregun si rregullator ekonomik dhe për konkurrencën e lirë.
Zgjedhjet e reja dhe skenaret
Kancelari Scholz deklaroi të mërkurën në mbrëmje se do të kërkojë votëbesimin në 15 janar. Meqenëse pritet që ai ta humbë këtë votëbesim në Bundestag, Bundestagu do të shpërndahet, me dekret të Presidentit të Gjermanisë.
Brenda 60 ditësh, pra deri në fund të marsit, Gjermania duhet të mbajë zgjedhje të reja parlamentare. Deri atëherë, kancelari Scholz tha se do të përpiqet të zbatojë disa projekte ligjore, si reformën e pensioneve apo miratimin e rregullave evropiane të azilit, me mbështetje nga parti të tjera për to.
Kancelari Scholz mund të përpiqet edhe të krijojë një koalicion të ri qeveritar, pa kaluar në zgjedhje. Por kryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Friedrich Merz, e përjashtoi publikisht pjesëmarrjen në një qeveri me socialdemokratët e Të Gjelbrit.
19 orë pas largimit të liberalëve të FDP-së, Scholzi i plotësoi postet vakante ministrore: ngarkoi për të mbuluar dy dikastere njëherësh ministrat socialdemokratë dhe Të Gjelbër në qeveri. I vetmi ministër i ri, është ministri i Financave, Jörg Kookies, që ka qenë këshilltari ekonomik i kancelarit.
Presion për zgjedhje më të hershme parlamentare
Opozita CDU/CSU dhe disa parti kërkojnë që Scholz ta kërkojë menjëherë votëbesimin dhe që zgjedhjet të mbahen në janar. Por zgjedhje më të hershme mund të kemi vetëm nëse presioni publik për këtë bëhet i papërballueshëm për kancelarin. 65% e gjermanëve janë vërtet për zgjedhje më të hershme. Por ky është vetëm rezultat i një sondazhi.
Po të mos dojë kancelari vetë, nuk e detyron dot askush për zgjedhje më të hershme. Në Gjermani nuk është e lehtë të imponosh zgjedhje të parakohshme.
Merz foli për “zvarritje të falimentimit politik” nga kancelari (08.11.2024).
Për arsye të destabilizimit të Republikës së Weimar-it, në vitet 1930 nga nazistët e Hitlerit, në kushtetutën e Gjermanisë u fut pas luftës një element i veçantë. Neni 67, përmban të ashtuquajturin “mocion konstruktiv mosbesimi”.
Në të thuhet se nuk mjafton që parlamentarët ta shkarkojnë me shumicë 2/3 kancelarin. Por njëkohësisht ata duhet të zgjedhin, me shumicë absolute, edhe një kancelar të ri. Kështu ndodhi në vitin 1982.
Por në Bundestagun aktual, raportet aktuale përjashtojnë që deputetët e tjerë, jashtë partive ende në qeveri, të arrijnë shumicë për një kancelar të ri. Ata kanë gjithsej 325 mandate, nga 733 deputetë në Bundestag.
A do të ndikojë kriza politike në angazhimin gjerman në botë?
Situata e papritur në Gjermani përpin shumë burime njerëzore: tani shkruhen me shpejtësi programe partiake për zgjedhjet; politikanët duhet të vendosin papritur për karrierat e tyre, p.sh. a duan të rikandidojnë apo jo, e kështu me radhë.
Por për politikën e jashtme, si ministrja e Gjelbër e Jashtme Analena Baerbock, ashtu edhe kancelari janë edhe për disa muaj (apo për disa javë) në post.
Gjermania ka rregulla edhe për situata të tilla pezull, që zakonisht janë pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Parimi drejtues është që të gjitha masat, tashmë të miratuara nga qeveria, është e detyrueshme të zbatohen. Edhe kur bie qeveria.
Kjo ka të bëjë në radhë të parë me financimin e masave. Për mbështetjen e Ukrainës, p.sh. shumë fonde janë miratuar.
Por edhe në politikën e brendshme: shteti nuk kërcënon të bllokohet, si në SHBA. Edhe po të mos miratohet buxheti i vitit 2025, një shkak tjetër i kolapsit të koalicionit qeveritar në Gjermani.
Rregullat gjermane përcaktojnë që edhe në këtë fazë, shteti të shpenzojë aq sa ka shpenzuar në të njëjtin muaj, një vit më parë. Pra financimi p.sh. i pagave dhe i sektorëve të ekonomisë vazhdon normalisht. /DW