spot_img
E hënë, 29 Dhjetor, 2025
06:11
Home Blog Page 1663

OBSH: Mbi 100 pacientë do të evakuohen nga Gaza

0

Më shumë se 100 pacientë, përfshirë fëmijë, do të largohet nga Rripi i Gazës të mërkurën, njoftoi të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

OBSH-ja thotë se më pak se 300 pacientë janë evakuuar nga Gaza prej fillimit të majit, kur Izraeli e zgjeroi ofensivën ushtarake në drejtim të jugut dhe e mori nën kontroll pikëkalimin kufitar Rafah mes Gazës dhe Egjiptit, i cili përdorej për evakuimin e pacientëve.

Rik Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së për Territorin e Okupuar Palestinez, tha se pacientët, në mesin e të cilëve ka edhe fëmijë me lëndime traumatike dhe sëmundje kronike, do të largohen përmes pikëkalimit me Izraelin në Kerem Shalom.

Sipas marrëveshjeve me OBSH-në, pacientët do të dërgohen në Emiratet e Bashkuara Arabe nga aeroporti Ramon në jug të Izraelit, ndërsa disa të tjerë do të transferohen në Rumani, shtoi ai.

I pyetur nëse Izraeli e ka aprovuar evakuimin e tyre, ai tha se shpreson se autoritetet izraelite do ta lehtësojnë transferimin e tyre.

Ai tregoi se më shumë se 12.000 pacientë janë në pritje të transferimit, duke shtuar se “ne nuk mund të vazhdojmë kështu më”.

Izraeli nuk e ka komentuar transferimin e pacientëve deri tani.

Palestinezët në Rripin e Gazës janë goditur rëndë nga shpërthimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Lufta u shkaktua kur luftëtarët e Hamasit u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023 dhe i vranë rreth 1.200 njerëz, si dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.

Prej atëherë, hakmarrja e Izraeli e ka shkatërruar Gazën, si dhe i ka vrarë mbi 43.000 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi. /REL

🔴EKSKLUZIVE: Netanyahu shkarkon ministrin e Mbrojtjes

0

Netanyahu shkarkon ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant


storm•/Izrael: Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shkarkuar ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, njoftoi të martën zyra e kryeministrit.

Israel Katz, aktualisht ministër i Jashtëm, do të bëhet ministër i Mbrojtjes, ndërsa Gideon Sa’ar do të zëvendësojë Katz-in si ministër i Jashtëm.

Kjo është një ngjarje në zhvillim dhe do të përditësohet.

Hovenier thotë se zgjedhjet e lira janë themelore për demokracitë në SHBA e Kosovë

0

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themelore për demokracitë si në Amerikë po ashtu dhe në Kosovë.

“Jam i lumtur që shoh kaq shumë studentë këtu sot, të cilët na bashkohen për festimin tonë të demokracisë dhe janë të gatshëm të mësojnë më shumë se si i bëjmë zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara. Faleminderit të gjithë partnerëve që ndihmuan në organizimin e kësaj pjesëmarrjeje. Dhe unë do të doja të falënderoja anëtarët e komunitetit të Ambasadës së SHBA-së që janë këtu për të ndarë informacione, njohuri dhe perspektiva të tyre mbi angazhimin qytetar në Amerikë. Është një privilegj të jem këtu sot teksa festojmë demokracinë amerikane dhe gurthemelin e kësaj demokracie: Zgjedhjet në SHBA”, tha amabasadori amerikan, në falën përshëndetëse në ngjarjen zgjedhore të Ambasadës së SHBA të mbajtur në Prishtinë.

Sipas tij, çdo katër vjet, të martën e parë të nëntorit, Shtetet e Bashkuara mbajnë zgjedhje presidenciale dhe çdo dy vjet, atje zgjedhin përfaqësuesit në Kongres.

“Këto ditë zgjedhjesh janë gjithmonë të mbushura me pritje dhe sot, në të gjithë Shtetet e Bashkuara, amerikanët janë rreshtuar për të hedhur votat e tyre dhe për të marrë pjesë në demokracinë tonë unike amerikane. Jashtë Shteteve të Bashkuara, ka gjithashtu një sasi të madhe interesi për zgjedhjet në SHBA pasi audienca e huaj përpiqet të kuptojë procesin tonë, duke përfshirë grupet dhe zgjedhjet paraprake, kolegjin zgjedhor, konventat kombëtare dhe praktika të tjera të dallueshme amerikane”, tha ai.

Sipas tij, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themelore për demokracitë si Shtetet e Bashkuara dhe Kosova.

“Ato fuqizojnë qytetarët që të formësojnë të ardhmen e tyre duke afirmuar vlera të tilla si liria, transparenca dhe përgjegjësia qytetare. Zgjedhjet, shoqëritë tona bëhen më elastike, të sigurta dhe më të begata. Dhe ne e kuptojmë se rrugëtimi demokratik nuk është pa sfida. Në Shtetet e Bashkuara, Aktet e të Drejtave Civile të viteve 1960 ishin thelbësore në dhënien e të drejtave të plota të votës për të gjithë qytetarët. Kjo histori na kujton se demokracia nuk është statike – ajo rritet dhe evoluon ndërsa trajtojmë papërsosmëritë”, tha ai.

Duke shtuar se kjo është arsyeja pse është i kënaqur që po organizojnë një ngjarje zgjedhore me studentë dhe të rinj nga mbarë Kosova.

“Angazhimi qytetar i të rinjve është kritik për demokracitë. Duke ecur përpara, duke bërë pyetje dhe duke marrë pjesë në proceset demokratike, të rinjtë sjellin perspektiva të reja dhe energji të reja për të adresuar sfidat e sotme. Të rinjtë janë shpesh të parët që përqafojnë teknologjitë dhe mjetet e reja të komunikimit, të cilat mund të rrisin aksesin në informacion dhe të nxisin një angazhim më të gjerë qytetar. Brezat e rinj gjithashtu përballen me sfida të dallueshme dhe zgjedhjet janë një mundësi për të ndikuar se si trajtohen këto çështje”, tha Hovenier.

Ministria e Drejtësisë kërkon largimin e të denoncuarit për dhunë në familje nga “Big Brother Vip Kosova”

0

Ministria e Drejtësisë ka reaguar ashpër ndaj futjes së të denoncuarit për dhunë në familje, Atilla Kardesh, në “Big Brother Vip Kosova” në Klan Kosova.

Konkretisht, koordinatorja kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, që është vetë ministrja Albulena Haxhiu dhe grupi ndërministror, kanë thënë se ky vendim përveç tjerash ka për qëllim minimizimin dhe normalizimin e një fenomeni të rrezikshëm më të cilin po përballet shoqëria jonë, siç është dhuna në familje.

Në reagimin e publikuar nga Ministria thuhet se ndaj Kardeshit deri në shtator ka pasur urdhër mbrojtës.

Grupi ndërministror për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje ka kërkuar që ai të largohet urgjentisht nga emisioni dhe të ndërmerren masa ndaj Klan Kosovës nga Komisioni i Pavarur i Mediave për këtë “vendim skandaloz”.

Po ashtu është kërkuar vlerësimi i përgjithshëm i përmbajtjeve të emisioneve në Kosovë lidhur me raportimin e ndjeshëm gjinor, riviktimizimin e viktimave të dhunës dhe presionin psikologjik që u shkaktohet viktimave të dhunës.

“Vendosja e znj. Drenusha Latifi nën presion psikologjik përballë ish bashkëshortit i cili është cilësuar si dhunues me vetë lëshimin e UM, është formë e dhunës psikologjike, e cila e vendos znj. Latifi në pozitë të cenueshme psikologjike, dhe paraqet mundësi të ri-viktimizimit por tani në situatë të presionit psikologjik publik”. thuhet më tej në reagim.

Shqetësim është ngritur edhe për fëmijët e ish-çiftit.

“Nisur nga fakti se znj. Latifi dhe ish bashkëshorti i saj kanë dy fëmijë të përbashkët, shprehim shqetësimin tonë, se fëmijët e ish çiftit janë vendosur në rrethanat e rrezikut potencial për viktimizim dhe ri-viktimizim, duke u bërë publikisht dëshmitarë të situatave potencialisht të dhunshme verbale apo fizike, përmes presionit publik i cili do të transmetohet në opinion, dhe kjo do të ketë ndikim negativ në mirëqenien emocionale të fëmijëve”.

 

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, voton në Florida

0

Kandidati republikan presidencial dhe ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i shoqëruar nga ish-zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, ka votuar në Qendrën Rekreative Mandel në ditën e zgjedhjeve në Palm Beach, Florida, më 5 nëntor.

Trump ka folur pasi ka votuar. Ai është pyetur nëse sheh një botë në të cilën nuk do të shpallte fitoren sonte.

Trump u përgjigj: “Po, dua të them, unë po dëgjoj të njëjtat gjëra që po dëgjoni ju. Unë po dëgjoj shumë shtete ku jam lart, por ato nuk do të kenë një numër përfundimtar për një kohë të gjatë.”

“Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë në lidhje me shpalljen e fitores,” shtoi ai.

Asllani gati të ndihmojë Interin në sfidën kundër Arsenalit

0

Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Kristjan Asllani është plotësisht gati për ndeshjen kundër Arsenalit, të cilën Interi e luan në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Kjo ndeshje luhet të mërkurën prej orës 21:00 në Itali, ndërsa Asllani pritet të jetë në stol për këtë përballje pasi sapo është kthyer nga lëndimi.

Asllani i mungoi Interit në fitoren 1:0 ndaj Venezias vikendin e shkuar në kampionat, por është rikthyer në stërvitje me pjesën tjetër të grupit dhe nuk ka shfaqur telashe.

22-vjeçari këtë sezon ka vetëm 6 paraqitje për ekipin italian, me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2028.

Si të mbroni rritjen e tensionit të gjakut nga ndryshimi i motit?

0

Temperaturat e ftohta të dimrit janë shkaktare të rritjes së rrezikshme të tensionit të gjakut tek të moshuarit.

Një studim francez ka zbuluar se tensioni i gjakut pëson luhatje të ndjeshme sipas stinëve.

Në dimër, tensioni i gjakut tek të moshuarit rritet me 33.4 përqind ndërsa në verë me 23.8 përqind.

Ndonëse ekspertët nuk kanë arritur të përcaktojnë mekanizmat që mund të shpjegojnë këtë lidhje mes motit dhe tensionit, ata thonë se gjithçka ka të bëjë me sistemin nervor simpatetik.

Ky sistem kontrollon mënyrën se si organizmi reagon ndaj stresit.

Ai gjithashtu rregullon çlirimin e hormonet katekolaminë që rrit tensionin e gjakut duke përshpejtuar rrahjet e zemrës dhe mbajtur nën kontroll enët e gjakut.

Tensioni i gjakut në varësi të stinëve
Studiuesit francezë analizuan të dhënat mjekësore të mbi 8800 të rriturve mbi 65 vjeç në harkun kohor të 2 viteve.

Gjatë dimrit tensioni sistolik pësonte një rritje prej 5 pikësh.

Ndikimi më i lartë i temperaturave tek tensioni i gjakut vërehej tek të moshuarit mbi 80 vjeç.

Këto gjetje, sipas ekspertëve, mund të shpjegojë edhe ndikimet sezonale në sëmundjet si ishemia, apo problemet me enët e gjakut që prekin të moshuarit.

Një monitorim më i vëmendshëm i tensionit të të moshuarve gjatë dimrit mund të përmirësojë shëndetin e tyre.

Si të mbroheni nga ndikimi i motit?
Minimizoni ekspozimin ndaj të ftohtit në ambiente të jashtme,

Shmangni aktivitetet e rënda fizike,

Vishuni trashë,

Mbani doreza dhe shall kur të dilni në ambiente të ftohta,

Shmangni kafeinën dhe alkolin sepse shkaktojnë humbje më të shpejtë të nxehtësisë së trupit.

Konsumoni ushqime të përshtatshme për tensionin e gjakut siç janë frutat dhe perimet.

Kufizoni konsumin e kripës dhe hani më shumë produkte të bulmetit me pak yndyrë por edhe drithëra të plota, peshk, shpendë dhe arrorë.

Njerëzit që punojnë në ambiente të jashtme duhet të tregojnë kujdes të lartë për të ulur rrezikun e tensionit të lartë të gjakut.

Atilla flet për raportin me Drenushën dhe qëllimin në shtëpi: Këtu ka një urë, a e zgjidh me gjemba?

0

Ardhja a banorit më të ri në shtëpinë më të famshme në vend, Atillas, po sjell shou televiziv nga Big Brother VIP Kosova.

Duke qenë se njihet për historinë e shumë përfolur të tij me tashmë ish-bashkëshorten Drenushën, Atilla u pyet se cili është qëllimi i hyrjes së tij në këtë format.

”Ki edhe lojë. Është edhe lojë”, i përgjigjej ai.

Ndër tjera ai madje shfaqi një pikë tjetër, se banorëve iu duhen së paku dy javë për ta prezantuar veten në këtë shou.

Kjo meqë Driloni i tha se ‘ka nisë me u ndezë loja goxha këto ditë këtu’.

”Dikush kthehet vetvetja, dikush del prej vetvetës. Është formati i tillë sot”, shprehej Atilla.

Madje banori luftarak, Driloni, e pyeti Atillën direkt për raportin me Drenushën, për çka iu përgjigj se ‘asgjë nuk ndodhë pa arsye’.

”Unë me Drenushën, kemi bashkëjetu 10 vjet. Në Suedi jemi nda. Mandej kam ardhë në Kosovë, u bë një kauzë”.

”Akuza, çakuza. Edhe tash kanë mbet fëmija ndërmjet”.

”Te unë janë fëmijët tash”.

”Janë fëmijët e mi. Kjo është paradoksi në këtë situatë. Se unë, përshkruhem që ‘s’i kom fëmijët, e du me ia marrë’. Se kërkush nuk është zotërues i fatit të kurrkujt. Realiteti është qaty”.

”Kemi pasë kontakt tash me sms, i marrë fëmijët i lo. I kom marrë fëmijët, i kom shpinë, i kam shkollat ua paguaj e gjanat. Është pak e komplikuar se nuk është bash qashtu veç puna. Krejt senet e kanë një arsye. Normal ki pasoja veç, kanë arsye”.

”Janë disa gjana që as ti as Vullneti, as Gresa, që mundet me i zgjidh ato. Këtu mundesh me pasë veç opinionin tond”.

Ai ka thënë se hyrja e tij nuk ka të bëjë vetëm me personalen, duke iu referuar raportit të saj tipik që kishte me Drenushën, tashmë ish-bashkëshorte.

”Janë përfolur disa gjana, por siç ja shpjegova edhe Vullnetit, këtu është një urë, që do të ekzistojë gjithë, janë dy kalamajtë”.

”Tash, si e zgjidh t’i urën: A e zgjidh me gjemba?”, përgjigjej Atilla, derisa tha ndër tjera se në këto raste, fëmija është prioritet, e sipas tij, ‘jo me i viktimizu’.

Zbulohet një grup i dyshuar si terrorist në Saksoni

0

Tetë anëtarë të dyshuar të një grupi të ekstremit të djathtë janë arrestuar në Saksoni e në vende të tjera, duke përfshirë një politikan lokal të AfD. Sipas informacioneve gjatë arrestimit të tij ka pasur një incident.

Më shumë se 450 policë dhe forca speciale morën pjesë në aksionin e ndërmarrë në disa vende herët në mëngjesin e së martës. Goditja erdhi pas muajsh hetimesh ndaj një grupi të dyshuar të së djathtës ekstreme që e quan veten “separatistët saksonë”. Ato ishin të përqendruara në landin gjerman lindor të Saksonisë.

Në një deklaratë shtypi, zyra e prokurorit federal në Karlsruhe justifikoi arrestimet duke folur për rrezikshmërinë e 15 deri në 20 anëtarëve. Grupi militant synonte të përgatitej për një ditë të supozuar X në lindje të Gjermanisë, në të cilën ai llogariste kolapsin e rendit shoqëror. “Në një rast të tillë, ky grup synonte të pushtonte me forcën e armëve zona në Saksoni dhe në rast nevoje edhe në lande të tjera federale lindore, për të krijuar një shtet dhe një shoqëri sipas modelit të nacionalsocializmit”. Grupi terrorist kishte planifikuar gjithashtu “të largonte grupet e padëshiruara të njerëzve nga zona përmes spastrimit etnik nëse ishte e nevojshme”.

Arrestimi i personave të dyshuar si terroristë, 05.11.2024, Saksoni

Arrestimi i personave të dyshuar si terroristë, 05.11.2024, Saksoni

Sipas autoriteteve të sigurisë, ideologjia e anëtarëve të supozuar karakterizohej nga “ide raciste, antisemite dhe pjesërisht apokaliptike”.

Stërvitje luftarake për luftime shtëpi më shtëpi

Që nga themelimi i saj në nëntor 2020, organizata thuhet se është përgatitur për një përmbysje të sistemit, ndër të tjera përmes trajnimeve të përsëritura paraushtarake me pajisje luftarake. Sipas Prokurorisë Federale, “në veçanti, u praktikuan luftime shtëpi më shtëpi, përdorimi i armëve të zjarrit, marshimet dhe patrullimet e natës dhe të detyruara”. Grupi ka marrë gjithashtu pajisje ushtarake, të tilla si kostume kamuflazhi, helmeta luftarake, maska gazi dhe jelekë mbrojtës.

Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser shpjegoi në platformën online X se arrestimet qenë një sukses i zbulimit të hershëm nga ana e shërbimit të fshehtë të brendshëm të Gjermanisë, të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës: “Që ishin zhvilluar trajnime për përdorimin e armëve dhe blerjen e pajisjeve ushtarake tregojnë se sa të rrezikshëm janë këta ekstremistë të djathtë”, deklaroi politikania socialdemokrate.

Sipas hetimeve nga disa media gjermane, të paktën tre nga të arrestuarit besohet se kanë lidhje me partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Njëri prej tyre është politikani lokal sakson Kurt H., i cili është pjesë e këshillit bashkiak të Grimmas për AfD-në dhenë kryesnë e qarkut të partisë së tij.

Revista e lajmeve Spiegel raporton se arrestimi i tij thuhet se çoi në një shkëmbim zjarri. Sipas raportit, Kurt H. ka rrëmbyer një armë. Rrjedha e saktë e ngjarjeve është e paqartë. Sipas informacioneve të ARD-Hauptstadtstudio dhe SWR, H. me sa duket u përpoq të barrikadohej brenda. Raportohet se një njësi speciale e policisë qëlloi më pas një të shtënë paralajmëruese – edhe për shkak se vetë H. thuhet se kishte një armë në dorë. H. u arrestua menjëherë më pas, por thuhet se kishte një plagë me armë zjarri në mjekër. Hetuesit po studiojnë nëse kjo plagë është shkaktuar nga një e shtënë e policisë apo nga arma e të dyshuarit. Për këtë arsye, politikani i AfD u shtrua në spital. Mesa duket jeta e tij nuk ka qenë në asnjë moment në rrezik.

Me sa duket, ai kishte tërhequr vëmendjen në të kaluarën për afërsinë e tij me rrjetet e ekstremit të djathtë: sipas hetimeve të gazetës “tageszeitung”, ai me sa duket mori pjesë në verën e vitit 2024 në një festival të ashtuquajtur të kthimit të diellit, në të cilin u nderua SS vrastare e diktaturës nacionalsocialiste të Adolf Hitlerit. Në festë me sa duket morën pjesë edhe njerëz të afërt me liderët e AfD-së, Björn Höcke dhe Maximilian Krah.

Policia në Saksoni, 05.11.2024

Policia në Saksoni, 05.11.2024

Politikanët e AfD-së janë në shenjestër të autoriteteve gjermane të drejtësisë dhe sigurisë: aktualisht po zhvillohet një gjyq në Frankfurt am Main kundër një grupi të Reichsbürger që dyshohet se kishte planifikuar një grusht shteti. Ish-deputetja në Bundestag e AfD-së, Birgit Malsack-Winkelmann është në gjyq sepse dyshohet si mbështetëse e organizatës. Ish-gjyqtarja ndodhet aktualisht gjithashtu në paraburgim.

Politikanët e AfD: në mënyrë të përsëritur në shënjestrën e drejtësisë

Deputeti bavarez i AfD-së, Daniel Halemba po hetohet për nxitje të popullit dhe për dyshime për pastrim parash, shtrëngim në grup dhe dëmtim të pronës.

Dhe në vitin 2024, një nga politikanët më me ndikim të AfD-së, presidenti i AfD në landin e Tyringenit, Björn Höcke, u dënua dy herë me gjoba të rënda për përdorimin e sloganit të organizatës famëkeqe SA, nga koha e diktaturës nacionalsocialiste, në fjalimet e fushatës zgjedhore.

Arrestimi i fundit i politikanit sakson të AfD vjen ndërsa Gjermania debaton mundësinë e ndalimit të AfD. Shumë deputetë të Bundestagut nga parti të ndryshme janë duke përgatitur kërkesën përkatëse për një procedurë të mundshme para Gjykatës Kushtetuese Federale. /DW

VOA: Kush do të fitojë garën për kontrollin e Kongresit?

0

Zgjedhjet e së martës do të përcaktojnë se cila parti do ta ketë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senatin amerikan dhe me të edhe fuqinë për të kontrolluar agjendën e presidentit.

Garat kryesore po zhvillohen krahas zgjedhjeve të para presidenciale që prej kur ndodhi sulmi ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021, por edhe në pjesë të papritura të vendit pas njërës prej periudhave më kaotike të punës së Kongresit në dekadat e fundit.

Në fund, vetëm një numër i vogël vendesh, madje ndoshta vetëm një ulëse, do të përcaktojë se cila parti do të ketë kontrollin në dy dhomat e Kongresit.

Ekonomia, siguria e kufirit, të drejtat riprodhuese dhe e ardhmja e demokracisë amerikane ishin ndër temat kryesore të fushatës.

Në Senat, ku demokratët tani kanë një shumicë të vogël me 51 vende, republikanët, që tani kanë 49 vende, pritet të shënojnë një fitore të hershme në shtetin e Virxhinias Perëndimore, duke krijuar një ngërç në këtë institucion.

Garat kryesore për të përcaktuar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve janë të përqendruara në Nju Jork dhe Kaliforni, ku republikanët viteve të fundit arritën të fitonin përkrahje me disa ligjvënës të popullarizuar, që u sollën atyre fitoren.

Garat tjera për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve janë të shpërndara në pjesë të tjera të vendit, me vetëm disa dhjetëra kandidatë që po sfidohen. Prej tyre, gara të rëndësishme po zhvillohen në Mein, Nebraskë dhe Alaskë.

Numrimi i votave në disa raste pritet të zgjasë përtej ditës së martë.

“Jemi shumë afër për ta rikthyer shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve”, deklaroi udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries, i cili pritet të bëhet kryetari i parë afrikano-amerikan i Dhomës së Përfaqësuesve nëse Partia Demokrate fiton shumicën.

Por Krytari i tanishëm i Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësi republikan Mike Johnson thotë se republikanët do të “rrisin” epërsinë e tyre.

Gara për kontrollin e Kongresit ka fuqinë t’i jetësojë apo t’i rrënojë përparësitë e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara.

Kongresi po ashtu mund të luajë rol në vazhdimin e traditës amerikane për transferimin paqësor të pushtetit. Para katër vitesh, zoti Trump nxiti turmën e përkrahësve të shkonin në Kapitol dhe shumë republikanë në Kongres votuan kundër certifikimit të fitores së Presidentit Joe Biden.

Kongresi sërish duhet të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në vitin 2025. /VOA